Related Posts
None found
Ai tha se grupi parlamentar socialist duhet të vijojë punën pa u ndalur në asnjë moment, por pa ia mbyllur derën në asnjë rast opozitës, nëse këta të fundit do të vendosin që të ulen në tryezë për bashkëpunim dhe dialog.
Më tej, Rama u bëri thirrje të tijëve që të vijojnë përpara pa e kthyer pas, edhe sepse, sipas tij, “lehjet” e atyre që do të jenë pas do të jenë edhe më të forta.
“Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe, për të gjitha arsyet që i dimë, puna jonë nuk pret. Do të ishte qershia mbi tortë sikur të tjerët të ishin të interesuar për të bërë të njëjtën punë, punën për vendin dhe anëtarësimin e vendit në BE, por nuk janë të interesuar. Përkundrazi, janë të angazhuar që me çdo mjet të përcjellin jashtë kufijve të Shqipërisë që ky vend është një narkoshtet dhe, ndërkohë, këtu brenda janë të interesuar që vetëm të pengojnë.
Prandaj, pa hequr dorë në asnjë moment nga gatishmëria për të bashkëpunuar, nëse do të vijnë të ulen në tavolinën e bashkëpunimit, ne nuk do të presim në asnjë rast dhe për asnjë arsye askënd për të vazhduar për të bërë punën tonë. Unë e kuptoj shumë mirë edhe thirrjen e partnerëve për dialogun, konsensusin, jemi të gatshëm për bashkëpunim, dialog, por ulje në një tavolinë me zor unë nuk kam parë.
Kështu që për ne e rëndësishme është që asnjëherë të mos mbyllim derën, asnjëherë të mos marrim karriget e tryezës bosh dhe t’i djegim siç i digjnin ata. Karriget janë aty, duan të vijnë, bujrum; duan të japin alternativë, mirëse të vijnë. Për të tjerat, ne përpara, ata mbrapa, por kini parasysh se sa më mbrapa të mbeten, aq më e fortë do të vijojë jehona e lehjes së tyre, sepse ajo që ata bëjnë, në shqipen time, quhet lehaqenje”, tha Rama.





