E hënë, 5 Tetor 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:31: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Reforma Zgjedhore, Rama batutë me Gjiknurin: Ndiq “porosinë” e Nanos, bëni siç keni bërë përherë

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, sa i përket kërkesave për Reformë Zgjedhore.

Në fjalën e tij, Rama, duke bërë vetëironi, theksoi se reformat zgjedhore në Shqipëri ekzistojnë që në kohën kur ai ishte thjesht një piktor.

Reklamë

Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku bëhen reforma zgjedhore gjithnjë pas zgjedhjeve, edhe pse humbjet për humbësit vijojnë të jenë edhe më të mëdha.

Ndërsa me një batutë të Fatos Nanos, i la “porosi” Damian Gjiknurit që të bëjë siç ka bërë gjithmonë me reformën zgjedhore.

“Reforma Zgjedhore ka nisur që kur unë isha thjesht dhe vetëm piktor, në urën e Parisit, me thonj të paprerë. Që atëherë komisionet bipartizane mblidheshin, takoheshin. Nuk di ç’të them, atyre të OSBE-së u duhej vetëm çallma e hoxhës për të bërë pajtime. Sa herë ka zgjedhje duhen reforma, sepse ka një humbës. Problemi është se kemi bërë ne një reformë zgjedhore, Damiani e di pozicionin tim. Kemi bërë një reformë zgjedhore unike, ma gjeni ku është kjo që qeveria ndalon së marrë frymë katër muaj para zgjedhjeve sepse duhet të sigurojë zgjedhje, e prapë nuk ju mjafton, e duan nëntë muaj. Por edhe nëntë muaj po të bëhet, prapë nuk lind fitorja. Por prapë ti, Damian, e di vetë, siç thoshte kryetari ynë i ndjerë: bëni siç keni bërë”, tha Rama.

Sa i përket reformës administrative-territoriale, Rama la të kuptohet se kjo parashikon vetëm reduktim të njësive administrative në vend dhe nuk bëhet fjalë për zgjerim.

“Sa i përket reformës administrative, ajo është gjithmonë më pak, jo më shumë”, u shpreh Rama.

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë