Seanca e fundit parlamentare u shoqërua me protestë e tensione jashtë godinës.
Parlamenti ishte rrethuar me gardh metalik dhe forca të shumta policie, ndërsa perimetri i sigurisë ishte vendosur nga Ministria e Brendshme, përgjatë pedonales, deri në zonën e Xhamisë së Namazgjasë. Falë këtyre masave, deputetët hynë në godinën e Parlamentit pa u përballur me protestuesit.
Por gjatë rrugës, i shoqëronin thirrjet “Parlamenti i krimit”.
Protestuesit u mblodhën fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Më pas, ata u zhvendosën drejt “Rrugës së Elbasanit”, me synimin për t’iu afruar Kuvendit, por u ndaluan nga forcat e policisë në urën pranë Xhamisë së Namazgjasë.
Në këtë moment situata u përshkallëzua. Protestuesit nisën të hedhin domate, vezë dhe sende të tjera në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa disa prej tyre tentuan të çajnë kordonin e sigurisë.
Policia ndërhyri për të mbajtur nën kontroll situatën dhe shoqëroi disa persona, mes tyre edhe aktivistin Arben Kola. Edhe pse seanca plenare u shty për në orën 3, protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonën pranë Parlamentit, pa një skenar të qartë si do të vazhdojë tubimi.





