Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me efektivët e shërbimit zjarrfikës dhe trupat e Emergjencave Civile, ku diskutoi për përgatitjet dhe kapacitetet për përballimin e situatës së zjarreve gjatë sezonit veror. Rama vlerësoi punën e forcave operacionale dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal te situata e zjarreve në vende të tjera evropiane, duke theksuar se “zjarri nuk njeh kufij, edhe solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij”.
Rama bëri të ditur se vendi ka në dispozicion kapacitetet më të mëdha teknologjike të regjistruara deri tani për përballimin e zjarreve, duke përmendur 4 helikopterë të gatshëm, me mundësi që numri të rritet në 6 në rast nevoje. Ai shtoi se është mbyllur procedura për blerjen e 3 avionëve që do të jenë pronë e shtetit shqiptar dhe pritet të mbërrijnë në fund të vitit.
Rama:
Zjarri nuk njeh kufij, edhe solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij.
Këtu kemi një shembull të prekshëm, të miqve të “Firefighters Without Borders” që janë këtu nga Kanadaja. Dua t’i falënderoj në mënyrë të posaçme, sepse falë një bashkëpunimi me njerëzit tanë në Kanada, ne kemi një lidhje të fortë dhe ata nuk kursehen, duke qenë këtu të pranishëm dhe duke trajnuar njerëzit tanë në bashki.
Ajo që i sjell këtu është ajo që i bën bashkë të gjithë njerëzit që luftojnë me zjarrin, kudo qofshin. Sot jemi të qartë që zjarret e mëdha nuk janë më përjashtim i një vendi apo vere të keqe. Janë rregulli i një klime që ka ndryshuar përfundimisht. Ajo që po ndodh në Francë e Spanjë na bën vetëm të pyesim sa të përgatitur jemi kur të ndodhë.
Patjetër që Shqipëria është shumë më e vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll. Gjithçka që kemi bërë këtë vit ka qenë përgatitja. Njësoj si një skuadër që përgatitet për kampionatin botëror në verë, duke u stërvitur gjatë gjithë vitit.
Ky sezon do të jetë një provë për çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë dhe për të pasur një performancë më të mirë. Në këtë ushtrim bashkohen trupa të ndryshme, nga pushteti vendor te ai qendror.
Kjo provë kërkon përgatitje dhe sa më pak improvizim, kërkon disiplinë dhe investim të pandërprerë. Ne jemi përpjekur, ministri i shtetit për pushtetin vendor, që vjen nga eksperienca e bashkisë, nga më të suksesshmet, ka luajtur rolin e koordinatorit të këtyre forcave.
Sot kemi në dispozicion kapacitetet teknologjike më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë. Me 4 helikopterë të gatshëm, të cilët mund të bëhen 6 në çdo moment nevoje. Janë 9, por kanë edhe misione të tjera.
Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë që do të vijnë në fund të vitit dhe do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Ndërkohë, kemi një proces të dakordësuar që, në një moment nevoje të veçantë, kemi në dispozicion avionë të veçantë nga ajo bazë që po përgatit avionët tanë.
Qendra e këtij sistemi nuk janë makinat dhe dronët, janë njerëzit që veshin uniformën, që dalin në terren pa orar, përballë temperaturave apo rrezikut.
Pas secilit prej jush ka njerëz në shtëpi që presin në ankth telefonatën që çdo gjë shkoi mirë. Ka prindër, bashkëshortë, fëmijë që çdo mëngjes thonë “ruhu”, në çdo moment kur dinë që jeni mes zjarrit, mezi presin të marrin vesh se çdo gjë shkoi mirë.
Dëshiroj shumë që, kur të shkoni sot në shtëpi, t’u thoni që jemi shumë mirënjohës dhe që një Shqipëri e tërë ju falënderon paraprakisht.
Kjo nuk është një mirënjohje me fjalë, por përpiqemi ta shoqërojmë me mbështetje konkrete. Prandaj kapaciteti i zjarrfikësve është rritur, për të investuar që të jeni gjithmonë e më të gatshëm deri në detaje.
Do të investojmë për kushte më të mira, forcimin e bashkëpunimit me partnerët dhe pagën tuaj.
I kam propozuar qeverisë që të gjitha forcave që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes t’u shpërblehen menjëherë me pagë ekstra dhe u bëj thirrje bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor dhe ta bëjnë menjëherë, jo pasi të mbarojë beteja.
Dua të shpreh edhe një thirrje për të gjithë njerëzit që të bëjnë kujdes. Zjarret nisin nga gjëra të vogla: një cigare e hedhur nga makina, nga një hi që nuk është shuar pas një pikniku. Nisin edhe kur askush nuk do që të ndodhin, ndodhin edhe kur ka qëllime të liga apo njerëz me çrregullime psikologjike i vënë zjarrin një territori.
Është e rëndësishme puna e Policisë së Shtetit për të identifikuar zjarrvënësit. Presim që të bëhet edhe më mirë këtë sezon.
/vizionplus.tv





