Një çezmë e vjetër është zbuluar në fshatin Rromës të Bashkisë Selenicë gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji.
Pas njoftimit nga banorët, specialistët e D.R.T.K.-Vlorë shkuan në terren dhe dokumentuan rrënojat e strukturës së zbuluar.

Çezma ruante pjesë të tubacioneve qeramike, kanale shkarkuese dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.

Sipas specialistëve, bazuar në mënyrën e ndërtimit dhe gjetjet e qeramikës, kjo strukturë mund t’i përkasë shekujve XV–XVI, periudhës së fillimeve të sundimit osman.
Falë bashkëpunimit të banorëve me specialistët e D.R.T.K-Vlorë, u dokumentua një rënojë me vlerë të rëndësishme për historinë e fshatit Rromës.











