Ai, 55 vjeç, shkoi një ditë në shtëpi. Hapi shishen e rakisë që e kishte blerë te komshiu, e piu të gjithë ç’kishte mbetur dhe pastaj përdhunoi vajzën e komshiut. Ajo, 15 vjeç nuk hapi gojë. Në fshat ky ishte një turp që nuk kapërdihej. Do të kishte një damkë, po aq të turpshme sa një tatuazh në turp. Ndaj heshti dhe vendosi që atë damkë të mos rrëfente askujt.

 

Tre muaj më pas, kupton se diçka nuk shkon me trupin e saj. Në shkollë ka mësuar pak për ciklin. Mund edhe të të ndodhë kështu. Po barku pse po i rritet? Nuk ka më kohë për ta hequr, barrën që tashmë do ta lidhë gjithë jetën.

 

Pesë muaj më pas. Vazhdojnë torturat në shtëpi. Ajo vendosë ta rrëfejë natën që e përdhunoi ai, komshiu. Ata nuk e besojnë. Fqinji i tyre ka thënë se nuk e ka prekur me dorë vajzën. Atë nuk e beson askush.

 

Shtatë muaj më vonë. Ai është duke u gjykuar, kurse ajo ulërin në heshtje për atë që po i ndodh. Nuk do të martohet më kurrë, nuk do ta ëndërrojë fustanin e bardhë, nuk do të udhëtojë me njeriun e zemrës, nuk e di si do t’i gjejë paratë për të ushqyer fëmijën kur të mos ketë më as qumësht. Asaj nuk i lejohet të ëndërrojë. Ajo edhe ulërimën e nxjerr si heshtje. Vetëm shyen sytë e skuqur kur sheh barkun e rrumbullakosur. Fëmija do t’i japë të paktën të drejtë. Vetëm ajo qenie e beson.

 

Nëntë muaj më vonë, ulëret. Jo në heshtje. Ulëret vërtet dhe i jep jetë krijesës që u ngjiz atë natë. Testi i ADN-së tregon me një varg të dhënash, që ajo nuk i kupton, atë që rrëfeu ajo një natë në shtëpi. Fëmija ishte i asaj nate, ankthit të “gënjeshtares” i erdhi fundi. Të paktën do ta besojnë.

 

Dhjetë muaj më vonë, unë hyj në shtëpi e dëgjoj lajmin: “Gjykata e Korçës dënoi me 4 vjet e 8 muaj burg, Ligor Bibën, 55 vjeçarin që përdhunoi dhe la shtatëzanë fqinjën e tij, 15 vjeçe. Fajësia u vërtetua nga testi i AND-së së fëmijës së porsalindur”.

 

15 vjeç mendova, 55 vjeç, fëmijë i porsalindur, një përdhunim. Dhe ai dënohet më pak se 5 vite. … Këtu fiket, jo televizori, por ti, nëse ky nuk është thjesht një lajm. Sepse kupton se kujdoqoftë t’i ndodhë, motrës, vajzës, mikes, fshatares apo kuçkës më të madhe që njeh, vërtet nuk e shbën dot atë që ndodhi, por “përdhunohesh” edhe vetë.

 

Ajo e mjerë është përdhunuar dhjetëra herë, mendova. Një herë nga Ligori, pastaj nga familja, më tej nga policia, pastaj nga prokuroria, më vonë nga avokati, e në fund nga gjykata. Ku i dihet, edhe nga shoqëria. Ajo tani ka damkën “e përdhunuar”.

 

Meqë nuk e takoja dot vajzën atë orë të natës, nisa të kërkoj për lajmin, që me siguri do të kishte një kleçkë tjetër. Ai s’mund të dënohet kaq pak.

 

Lajmi:

“Ngjarja u denoncua publikisht në tetor të vitit 2017 dhe Biba përfundoi në pranga. Biba, fillimisht mohoi akuzat, por analizat e ADN-së provuan atësinë e foshnjes së ardhur në jetë, ndaj ai ndërroi dëshminë në gjykatë duke pranuar fajësinë, por sërish ngulmoi se nuk bëhej fjalë për përdhunim”.

 

Ligori:

“Deshi vetë. Unë nuk mbaj mend se kam qenë i pirë”.

 

Unë:

Pra, në këtë vend mund të përdhunosh, mjaft të jesh i pirë. Dënohesh pak, mos e vrit mendjen. Mund të mos pranosh asgjë në fillim, shtyje pak procesin e gjykimit, se ato ditë të quhen sa për dy. Pastaj, pranoje fajin se të ulet dënimi. Në fund, sillu mirë në burg sepse ka mundësi të të ulet sërish dënimi. E në përfundim, vetëm dy vite sakrificë është, Ligor. Kur të lirohesh, këtë thuaja edhe të tjerëve. Madje, atë vajzë tregoje me gisht në fshat. I gjithë Pogradeci ta marrë vesh që e ke “k/hap” ti i pari. Mund të hapesh by… edhe për këtë. Me siguri, ajo nuk ka pasur të tjerë më parë. Se kaq llogari ke ditur t’i bësh për dy vite në burg.

 

Ajo:

(Mendon) E kam braktisur atë në shtëpinë e fëmijës. Më mjafton e qara ime… Gabova që mund ta mbaja. E desha vetëm për të treguar të vërtetën, që tani s’vlen as pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *