Ri-përsëritje të zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike pasi ajo nuk njeh rezultatin e shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Tiranë, Fierin, Elbasanin, Durrësin, Beratin, Vlorën, Korçën, Shkodrën dhe Gjirokastrën.
Sipas demokratëve nga provat që ata zotërojnë me emërues të përbashkët vjedhjen e votës, në këto qarqe është bërë masakra më e madhe elektorale.
Përgjegjës për tjetërsimin e vullnetit politik të 25 Prillit, PD bën përgjegjës treshen Rama-Doshi-Rakipi.
MARASH LOGU
PERFAQESUES LIGJOR I PD
Procesi i 25 prillit ishte një masakër elektorale e orkestruar dhe zbatuar nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi. Viktimat e kesaj masakre elektorale janë shqiptarët dhe familjet e tyre. Detyra e Partisë Demokratike është të qëndrojmë fort dhe të vendosur dhe të luftojmë me të gjitha fuqitë për kthimin e demokracisë në vend. Sot, ne po dorëzojmë në KQZ qindra prova fakte dhe të dhëna që provojnë tjetërsimin e vullnetit tê shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri. Nga blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, tek vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia-shtet dhe përdorimi i tyre për presione kriminale nga sistemi i patronazhisteve të partisë shtet. Nga angazhimi i shtetit dhe administratës, tek tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota”
Në dosjet voluminoze që iu dorëzuan Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, në të paktën 50 faqet për secilin qark, Partia Demokratike, rendit të gjitha provat që çuan në blerjen e votës apo në tjetërsimin e vullnetit politik, nga përdorimi i personave me precedentë kriminalë,duke u dhënë tendera e prokurime publike, shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve shtetërore, parave të buxhetit, të dhënave personale të zgjedhësve dhe dhënia e shpërblimeve apo përfitime të tjera kundrejt votës.
MARINELA ZIU
PERFAQESUESE LIGJORE E PD
Nga ndryshimet antikushtetuese të Kodit Zgjedhor, tek ndryshimet me urdhër politik të fletës së votimit që sollën zhvleftësimin e 83 mijë votave baraz me afërsisht me 8 deputetë. Nga pamundësimi i votës së emigrantëve tek karantina 3-ditore për të penguar emigrantët të vijnë fizikisht për të votuar. Është detyra jonë të shpalosim gjithë dëshmitë dhe dokumentet që kemi dhe të vazhdojmë betejën për të vërtetën dhe për qytetarët shqiptarë në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë. Kjo betëjë nuk ka të bëjë me PD apo me partitë politike, ajo ka të bëjë me të ardhmen tonë, fëmijët tanë, demokracinë tonë”
Si fakte që çuan në masakrën elektorale, demokratët rendisin edhe ndryshimet e njëanshme në kodin zgjedhor, miratimin e fletës së votimit me numra që prodhoi mbi 80 mijë fletë të pavlefshme apo ndalimin e votimit të emigrantëve.
Për të vetmet qarqet ku Partia Demokratike nuk ka pretendime, janë Lezha, Dibra dhe Kukësi.
Po këtë të Dielë, Lëvizja Socialiste për Integrim, kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve edhe në qarkun e Beratit, pas Gjirokastrës. Në dy kërkesat ankimore drejtuar KAS, LSI, kërkon pavlefshmëri të rezultatit me pretendimin se gjatë votimit dhe numërimit në disa zona janë gjendur fletë votimi pa vula, janë identifikuar më shumë të tilla nga sa ishte numri përkatës i zgjedhësve apo janë regjistruar raste të votimit të dyfishtë.
ALTIN KAZIAJ
PERAFAQESUESI LIGJOR I LSI NE KQZ
Nga informacioni i vënë në dispozicion rezultoi se në disa QV u gjendën në kutinë e fletëve të votimit fletë pa vula, fakt i cili përveç se bie në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe Akteve Normative të miratuara nga Komisioni Rregullator, përbën indicie dhe provë të qartë dhe na bën të besojmë se janë futur fletë votimi nga jashtë QV-ve, të cilat kanë qarkulluar dhe janë plotësuar nga subjekti politik si garanci që votuesit e intimiduar, ndikuar apo blerë që të mos mashtronin.Në çdo ZAZ janë konstatuar tentativa për votim të dyfishtë nga i njëjti zëdhënës.Është konstatuar mungesa e filmimit me kamera në Qendrën e votimit 1257. Ky fakt bie në kundërshtim të plotë,”,.
E Hëna është afati i fundit i ankimimeve nga partitë politike dhe kandidatët e pavarur. Pas shqyrtimit të tyre nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve dhe më pas nga Kolegji Zgjedhor, institucioni që i vë vulën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjë certifikimin e votës së 25 Prillit.





