Mbrëmjen e kësaj të hëne, holli i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mbushet me tingujt e një mozaiku muzikor, ku kënga qytetare shqiptare do të marrë jetë përmes zërit të sopranos së njohur Nina Muho.
Koncerti “TABAN” është një udhëtim i ndjerë në thellësitë e shpirtit shqiptar dhe një rikthim në tabanin tonë kulturor. Me një repertor prej 16 këngësh, të interpretuara në formatin e kuartetit, Nina Muho premton të sjellë një përvojë të paharrueshme artistike.
“Është hera e parë që unë mbaj një koncert recital me muzikë shqiptare. Të them të drejtën jam shumë e emocionuar dhe shumë e lumtur që unë këndoj shqip, sepse duke qenë se jemi prezantuar gjithmonë para publikut me kryevepra botërore më mungon shumë të këndoj shqip. Kam një program prej 16 këngësh, 12 prej tyre janë të përpunuara për kuartet, të cilat nuk janë luajtur kurrë në këtë format”, tha Nina Muho.
Kjo mbrëmje muzikore është më shumë se një koncert. Është një përqafim tingujsh dhe emocionesh, një pasqyrim i kujtesës sonë kolektive që shtrihet nga trevat më veriore e deri në jug të vendit.
“Jam munduar të zgjedh këngë nga e gjithë Shqipëria, nga veriu, jugu Shqipëria e mesme dhe Kosova. Jo më kot kam zgjedhur pikërisht titullin taban, është një fjalë e huazuar që mua më ka shoqëruar që në fëmijërinë time dhe më pëlqejnë shumë gjërat me taban, që janë të mbështetura mirë te kënga popullore qytetare që ne duhet të mbështetemi fort e ta sjellim të publiku”, u shpreh Muho.
“Taban” është një ftesë për të gjithë ata që duan të rikthehen në rrënjë, nëpërmjet tingujve që nuk tjetërsohen kurrë.
/vizionplus.tv





