Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, zyrtarisht është i vetmi kandidat për postin e kryetarit të PD. Komisioni zgjedhor në PD ka shpallur zyrtarisht vendimin se në zgjedhjet e 23 majit, Sali Berisha do të kërkojë i vetëm mbështetjen e demokratëve për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme.
Komisioni ka skualifikuar kandidaturën e Mereme Selës, mjekes nga Fushë-Kruja, pasi nuk plotëson kriteret. Gjithashtu, komisioni skualifikoi edhe kandidaturën e Vladimir Mulaj. Të dy kandidatët u skualifikuan pasi nuk kanë një profil të lartë politik e publik. Ndërkohë, kandidaturat e Ervin Salianjit, Evi Kokalarit dhe Alesia Balliut nuk janë marrë në shqyrtim, pasi për Partinë Demokratike ata nuk janë anëtarë të kësaj force politike dhe nuk kanë të drejtë të kandidojnë.
Ndaj 23 maji do të jetë një moment rikonfirmimi për liderin historik të PD, Sali Berishën.
Pas zgjedhjeve për kryetarin e PD, partia më e madhe e opozitës do të mbledhë më 30 maj forumin më të lartë, Kuvendin Kombëtar, i cili do të miratojë ndryshimet në statut dhe do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar.
Grupi që do të hartojë ndryshimet në statut, i kryesuar nga Gazment Bardhi, u mblodh sot në selinë e PD dhe nisi diskutimet. Nuk priten ndryshime që kanë lidhje me parashikimet për kryetarin e PD dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndryshojë në organizimin dhe strukturën e PD.
Procesi i zgjedhjeve brenda PD pritet të mbyllet rreth mesit të muajit qershor, kur Sali Berisha do të përzgjedhë ekipin me të cilin do të drejtojë PD në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm dhe në zgjedhjet parlamentare.
/vizionplus.tv





