Sot përfundon afati 60-ditor që presidenti amerikan Donald Trump ka për të kërkuar miratimin e Kongresit për vijimin e luftës me Iranin, ndërsa administrata e tij ka lënë të kuptohet se mund ta injorojë këtë detyrim ligjor.
Sipas Kushtetutës së SHBA-ve, vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë, por një ligj i vitit 1973 i lejon presidentit të ndërmarrë operacione ushtarake të kufizuara në rast emergjence. Ky ligj kërkon që pas 60 ditësh, presidenti të ndalojë operacionet ose të marrë autorizim për vazhdimin e tyre.
Lufta me Iranin nisi më 28 shkurt, ndërsa Trump njoftoi Kongresin dy ditë më vonë, duke nisur zyrtarisht numërimin mbrapsht. Megjithatë, administrata argumenton se afati është pezulluar pas hyrjes në fuqi të armëpushimit më 8 prill.
Ky qëndrim është kundërshtuar nga demokratët, të cilët theksojnë se rreziku për trupat amerikane vijon ende. Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar, me Ngushticën e Hormuzit të mbyllur dhe çmimet globale të energjisë në rritje.
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione të ndryshme, përfshirë sulme të reja ushtarake ndaj Iranit apo ndërhyrje për hapjen e rrugëve detare, ndërsa përpjekjet diplomatike kanë ngecur. Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar pasoja të rënda në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.
OKB-ja ka ngritur alarmin për ndikimin global të krizës, duke paralajmëruar rritje të inflacionit dhe varfërisë nëse situata vazhdon, ndërsa disa vende të Gjirit kanë marrë masa sigurie për qytetarët e tyre.
/vizionplus.tv





