Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka sqaruar vendimin e miratuar në këshillin bashkiak për tarifën 700 lekë për plazhet. Ajo thotë se janë 15 mijë metra vijë bregdetare plazh publik që do të jetë falas. Në këto vende, sipas Mersinit, do të vendosen 350 çadra dhe shezlongë.
Plazhet publike janë falas, janë 15 mijë metra pa pagesë, dhe në këto parcela kemi detyrime për çadra dhe shezlongë, gati 350 të tillë. Ka edhe hapësirë për qytetarët të vijnë vetëm me çadrat e tyre.
Ndërsa vija bregdetare që do të menaxhohet nga privatët, do të ketë një tarifë maksimale prej 700 lekësh.
“Pastaj, për plazhet publike të menaxhuara që dikur i kanë pasur privatët, do të menaxhohen në bashkëpunim tashmë me bashkinë dhe bashkia do të jetë në bashkëpunim me operatorët turistikë privatë për ato plazhe, por e mira është që këta nuk mund të tarifojnë më shumë se 7 mijë lekë të vjetra. Pra, dikur plazhet private që tarifoheshin me çmime të ndryshme, 10, 15 mijë, apo aty ku ka pasur edhe plazhe 20 mijë lekë, tashmë nuk do të kenë të drejtë të kenë më shumë se 7 mijë lekë. Shikoni anën pozitive pra, asnjë nuk do të abuzojë me çmimin e plazheve ku ato kanë qenë plazhe private. Çdo privat apo plazhe publike të menaxhuara do të kenë një tarifë 7 mijë lekë të vjetra”, Brunilda Mersini, kryetare e Bashkisë së Vlorës
Më herët këshilli bashkiak kishte diskutuar një tarifë prej 500 lekësh, por më pas ajo u rrit në 700 lekë. Opozita në këshill akuzoi mazhorancën për vendime që rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët dhe pushuesit.





