Është finalizuar operacioni i koduar “Procesi”, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë ndërhyrjes së zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në Rrugën e Dafinave u ndalua një automjet që drejtohej nga Renis Aliaj.
Gjatë kontrollit, në automjet u gjet një qese me rreth 1000 fara të dyshuara si Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kultivim. Sipas njoftimit zyrtar, 31-vjeçari, u arrestua në flagrancë.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që ai drejtonte.
“Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë, si dhe intensifikimit të punës operative, me fokus parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Procesi”.
Në kuadër të operacionit, në Rrugën e Dafinave, u ndalua automjeti që drejtonte shtetasi R. A. Në automjet u gjet një qese me 1000 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi R. A., 31 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte 31-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/vizionplus.tv





