Një autobus i mbushur me turistë të huaj ka marrë flakë në ecje në zonën e Qafës së Kalasë, në Berat. Në momentin e incidentit, në autobus ndodheshin 52 pasagjerë, mes tyre edhe fëmijë, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri nisi në pjesën e motorit, pasi u vunë re shkëndija gjatë lëvizjes së autobusit drejt Kalasë së Beratit. Drejtuesi ndaloi menjëherë mjetin dhe pasagjerët arritën të zbrisnin në kohë, përpara se flakët të përfshinin të gjithë autobusin.
Forca të shumta zjarrfikëse dhe policie mbërritën në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët. Pavarësisht ndërhyrjes, autobusi me targa AB 917 UE u shkrumbua plotësisht nga zjarri.
Flakët përfshinë edhe një automjet tip Benz fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese. Pronari nuk arriti ta largonte mjetin në kohë dhe ai u dëmtua rëndë nga zjarri. Paraprakisht, dyshohet se shkak i incidentit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike në motor, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota. Drejtuesi i autobusit, Ervis Dyrmani nga Durrësi, është shoqëruar në polici. Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion për kombësinë e turistëve.
/vizionplus.tv





