Subscribe

Për strehimin e 1 mijë afganëve në vendin tonë, kryeministri Edi Rama u nderua nga Vital Voices, organizata ndërkombëtare amerikane për partneritet global me çmimin “Pionieri Global”. Ai iu dorëzua nga ish sekretarja amerikane e shtetit dhe zonja e parë, Hillary Clinton.

 

Shpëtimi nga vdekja e burrave grave dhe fëmijëve nga Afganistani pasi ra nën regjimin e talibanëve, nuk ishte arsyeja e vetme.

 

Në fjalën e saj, Hillary Clinton veçoi edhe angazhimin e kryeministrit Edi Rama për ta vendosur barazinë gjinore në krye të agjendës së tij. Si shembull, ish sekretarja amerikane e shtetit solli numrin e grave më i lartë se ai i burrave ministër.

 

 

HILLARY CLINTON

ISH SEKRETARJA AMERIKANE E SHTETIT

 

Mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama. Kur e mora në telefon për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje.

 

Strehimin e afganëve, e veçmas atyre që bashkëpunuan me NATO-n për të ndërtuar një vend demokratik, nuk e vlerësoi si heroizëm por si një detyrë që duhet ta kishte përmbushur çdo vend anëtar i Aleancës së Atlantikut.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Thelbi është që ne e bëmë këtë sepse mendoj se edhe si vend anëtar i NATO-s po ashtu, na takonte ta bënim. Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të ndryshojmë fatet e asnjë lufte dhe shkojmë në luftë kur e vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ama nëse nuk gjendemi as kur bëhet fjalë për të shpëtuar njerëz, pse duhet të jemi anëtarë të NATO-s dhe ç’vlerë kemi fundja në këtë botë.

 

Ceremonia e dhënies së çmimit ku të ftuar ishin përfaqësues të organizmave të rëndësishëm, u pri edhe nga një dokumentar mbi ardhjen dhe jetesën e familjeve afgane në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *