Skema e re për fermerët, pa elementin kryesor që kishte në të kaluarën, atë të naftës falas me rreth 200 litra në vit shihet si një goditje e madhe për sektorin e bujqësisë nga ekspertët.
Sipas tyre, pjesa më e madhe e përfituesve të skemave të mbështetjes janë pikërisht fermerët që punojnë tokat bujqësore.
“Nuk e di me çfarë guximi është marrë një vendim i tillë, pasi është jashtë çdo lloj logjike. Duhet ta themi që është hequr e vetmja masë që mbështeste inputet bujqësore dhe që reduktonte në një farë mënyre koston e prodhimeve bujqësore. Ishte ndihma e vetme që kishin fermerët. Të mos harrojmë se mbështetja për naftën zinte rreth 40% të totalit të subvencioneve dhe në disa raste edhe e tejkalonte këtë përqindje”, shprehet eksperti Gjok Vuksani.
Në konferencën për media, ministri Andis Salla tha se për të kompensuar heqjen e skemës së naftës, qeveria do të aplikojë rimbursimin me 10% të TVSH-së, pjesë e paketës fiskale.
Sipas skemës, fermerët do të rimbursohen dy herë në vit për totalin e produkteve që shesin tek grumbulluesit. Megjithatë, edhe kjo masë shihet me skepticizëm nga ekspertët.
“Është shumë e vështirë që kjo skemë të kompensojë 100% heqjen e naftës vetëm me rimbursimin e 10% të TVSH-së. Do të duhet të presim për të parë rezultatet, por sasia e parave që do të marrin fermerët nga kompensimi i TVSH-së do të jetë shumë më e ulët se ajo që merrnin nga skema e naftës”, tha Vuksani.
Ndër të tjera, eksperti vlerësoi pozitivisht uljen e kufirit për përfitimin nga skemat në sektorin e blegtorisë, si edhe rritjen e mbështetjes për bletarinë./vizionplus.tv





