Maqedonia e Veriut është shteti i radhës ku bilanci i zjarreve numëron edhe viktima. Një grua 59 vjeccare është gjetur e pajetë nën rrënojat e shtëpisë së djegur, në rajonin e Kumanovës. Ndërkohë autoritetet kanë shpallur një emergjencë 30 ditore në të gjithë vendin pasi vatrat e reja të zjarrit vijojnë të përhapen.

 

Forcat e ushtrisë gjenden në terren për të mbështetur zjarrfikësit ndësa kanë mbërritur edhe katër helikopterë nga Serbia. Në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri. Vendi është përfshirë nga temperaturat e larta si dhe erërat që vështirësojnë shuarjen e flakëve.

 

Ndërkohë, prej 10 ditësh punonjësit zjarrfikës, të forcave të sigurisë së Kosovës dhe ato të KFOR po përballen me flakët që sa vijnë e zgjerohen në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e namuna” në grykën e Rugovës në Pejë. Vatra më e madhe e zjarrit aktualisht është në fshatin Shtupeq.

 

STAND UP

DRITAN KURTI

“Jo vetëm Shqipëria por edhe Kosova po rrezikohet nga zjarret. Aktualisht ndodhemi në parkun kombëtar “Bjeshkët e Namuna dhe pikërisht në fshatin Shtupeq. Sipas zyrtarëve lokalë këtu, sipërfaqja e djegur shkon deri në 100 hektarë por dëmi ekonomik është i jashtëzakonshëm dhe i pallogaritshëm. Probleme në njerëz nuk ka patur pasi janë evakuuar në kohë. Autoritetet e Kosovës po përballen me vatra të reja të cilat po ndihmohen edhe nga erërat e forta.”

 

Sipas Drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës për Rajonin e Pejës, Butrint Lajçi,  neutralizimi i flakëve mbetet ende i vështirë për shkak të erës së forte.

 

BUTRINT LAJÇI

DREJTOR I SHERBIMIT ZJARRFIKËS, PEJË

“Era ka bërë të vetën, zjarri është jashtë kontrollit për momentin. Përafërsisht janë dëmtuar mbi 80 hektarë. Qytetarët që kanë qënë në rrezik, janë evakuuar. Nuk ka mundësi që të intervenohet për momentin derisa të ndalen erërat e forta.”

 

Edhe pse ndërhyrja po bëhet nga toka dhe ajri, shuarja e zjarrit ka qenë e pamundur.

 

MUHAMET SHOSHI

PERGJEGJES I PARKUT KOMBETAR “BJESHKËT E NAMUNA”

“Dëmet janë të pallogaritshme në këtë moment, zjarri ka përfshirë më shumë se 100 hektarë. Zjarri është nga dora e njeriut, është i qëllimshëm. Në raste shumë të veccanta mund të shfaqet zjarri vetvetiu, këto janë nga dora e njeriut.”

 

Policia e Kosovës ka vendosur një perimetër sigurie për të mos lejuar hyrjen e qytetarëve. Gryka e Rugovës në Pejë është ndër zonat më të frekuentuara të turizmit malor, e cila në këtë periudhë pret vizitorë jo vetëm vendës por edhe nga Shqipëria e vendet fqinje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *