Shtetet e Bashkuara te Amerikës shprehin zhgënjim per vendimin e presidentit Ivanov per te refuzuar dhënien e mandatit per Zoran Zaev, pasi ai provoi nëpërmjet firmave se disponon shumicën ne parlamentare. Ambasadori Jess Baily i kërkoi kreut te shtetit te rishqyrtoje edhe njëherë vendimin.
“Vendimi i Ivanovit nuk përputhet me parimet demokratike dhe sundimin e së drejtës si vlera thelbësore për integrimin euroatlantik të këtij vendi. Si partnerë dhe miq strategjikë të Maqedonisë, duke e respektuar plotësisht edhe sovranitetin e shtetit, i bëjmë thirrje presidentit që ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të jenë të përmbajtur dhe të tregojnë konstruktivitet, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në Maqedoni”.
Vendimi i kreut maqedonas qe nxori si argument per refuzimin platformën shqiptare ka rriture tensionet mes Shkupit dhe Tiranës zyrtare. Nje dite me pare, kryeministri Edi Rama i kujtoi kreut te shtetit maqedonas se gjuha shqipe nuk është e armikut, por e nje populli shtetformues ne Maqedoni, pasi pa shqiptaret nuk ka Maqedoni. Përgjigjja per kete koment nuk erdhi nga Ivanov, por nga kryeministri maqedonas Emil Dimitriev, qe i ka kërkuar Rames te mos ndeze zjarrin nacionalist.
“Eshtë shumë jokorrekte të ndizni zjarrin nacionalist. Gjuha shqipe është e përfaqësuar gjërësisht në Maqedoni. Gjuha shqipe, po ashtu edhe turke, serbe, vllehe, boshnjake dhe rome, bashkë me gjuhën maqedonase është pjesë e kulturës dhe pasurisë së Maqedonisë. Angazhojmë resurse të mëdha për promovimin e gjuhës dhe kulturës të bashkësive tona etnike. Do të ishte mirë të na ndiqni në këtë drejtim. Në Shqipëri, jo shumë kohë më parë, mbylleshin dritaret nëse në shtëpi është folur gjuha amtare, që të mos e dëgjojë dikush. Ne këtë përvojë nuk e kemi pasur asnjëherë”.
Edhe Ministria e jashtme ruse ka reaguar serish per zhvillimet e fundit ne Maqedoni, duke akuzuar Tiranen se nëpërmjet platformës shqiptare kërkon te vere ne jete planet per “Shqipërinë e Madhe”. Moska i ben thirrje te gjitha vendeve fqinje te Maqedonisë, por edhe atyre te BE-se te heqin dore nga ndërhyrjet ne punet e brendshme te ketij shteti. Per vendimin e Ivanov reagoi edhe Prishtina zyrtare, ku presidenti Thaçi theksoi se shqiptaret ne Maqedonia jane popull shtetformues qe duhet te kete te drejta te barabarta.





