Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar raportin e Komisionit Europian për shtetin ligjor, mediat e lira dhe drejtësinë duke u shprehur se aty shfaqen kritika të forta ndaj qeverisë Rama. Në një bashkëbisedim online me qytetarët, kryedemokrati pretendon se çështja Balluku ka bërë që Kryeministri të humbasë besueshmëri dhe mbështetje në arenën ndërkombëtare.
“Mbrojtjen që ai i bëri korrupsionit të Lubi Ballukut me emër, sulmet e paprincipta ndaj organeve të drejtësisë nga Edi Rama, korrupsionin e shfrenuar të policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera. Lubi Balluku është bërë tashmë çështje jo vetëm e shqiptarëve, por çështje e BE”, tha Berisha.
Lideri i opozitës nuk harroi të sulmonte Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, duke e cilësuar si një institucion që kontrollohet nga kreu i qeverisë.
“Të nderuar zotërinj, ai SPAK-un e ka shtruar në një seksion, në një organizatë të Partisë Socialiste”, tha lideri demokrat.
Ndërkohë, qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj deklaratave të ministres serbe që tha sse do të pastronte etnikisht Kosovën, për Berishën tregon qartë se Rama mbështet Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit”, tha Berisha.
Sa i përket protestave qytetare për çështjen e Zvërnecit, Berisha u bëri thirrje simpatizantëve të Partisë Demokratike që t’i bashkohen revoltës qytetare.





