E diel, 1 Nëntor 2026 Megi dhe Bianka deri në 10:00 Në vijim ora 10:00: Pa Familje Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Zjarret jashtë kontrollit në Spanjë, ushtria dhe qindra zjarrfikës në betejë me flakët, qindra persona të evakuuar

Një zjarr i madh pyjor që shpërtheu të enjten rreth 100 kilometra në veri të Madridit është përhapur me shpejtësi, duke shkrumbuar më shumë se 120 mijë hektarë tokë dhe duke detyruar qindra persona të largohen nga banesat e tyre, njoftuan autoritetet lokale.

Zjarri, që po përfshin zonën e Guadalajarës, veçanërisht parkun natyror Sierra Norte, nuk ka shkaktuar viktima deri tani, por situata vijon të konsiderohet e vështirë nga autoritetet e rajonit Castilla-La Mancha.

Rreth 350 zjarrfikës dhe ushtarë të Njësisë Ushtarake të Emergjencave (UME) janë angazhuar në zonë, të mbështetur nga 25 mjete ajrore, në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.

Zjarri ka prekur një zonë malore dhe pyjore që është habitat i disa specieve të rrezikuara, përfshirë shqiponja, ujqër dhe flutura.

Reklamë

Ky zjarr i shtohet një tjetër vatre të madhe zjarri pranë Zaragozës, në verilindje të Spanjës, e cila sipas autoriteteve ka djegur rreth 160 mijë hektarë dhe ende nuk është stabilizuar plotësisht. Edhe nga kjo vatër nuk janë raportuar viktima.

Spanja u përball së fundmi me një nga zjarret më vdekjeprurëse të historisë së saj të afërt, pasi një zjarr në Andaluzinë jugore, i nisur më 9 korrik, shkaktoi vdekjen e 13 personave dhe dogji rreth 70 mijë hektarë.

E ndodhur në vijën e parë të ndikimeve të ndryshimeve klimatike, Spanja po përballet vitet e fundit me valë të nxehti gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, me temperatura që kalojnë shpesh 40 gradë Celsius, duke krijuar kushte të favorshme për zjarre shkatërruese.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2025 në Spanjë u dogjën më shumë se 3.930.000 hektarë, shifra më e lartë në historinë e afërt të vendit. Ndërsa që nga fillimi i këtij viti, rreth 820 mijë hektarë janë shkrumbuar nga zjarret.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë