Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka sinjalizuar përmes një shkrese Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ndryshimet e reja të Bashkimit Europian lidhur me importin e mishit nga Brazili, duke kërkuar marrjen e masave për vijimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar pas datës 3 shtator 2026.
Në shkresën drejtuar Ministrisë, AKU i referohet Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, sipas të cilit importi i mishit të gjedhit dhe mishit të shpendëve nga Brazili lejohet për produkte të prodhuara në zona dhe stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian dhe të shoqëruara me certifikatë veterinare.
Sipas AKU-së, Bashkimi Europian, përmes Rregullores Zbatuese 2026/1189, ka ndryshuar listën e vendeve të autorizuara për eksport, në kuadër të kufizimeve për përdorimin e disa produkteve medicinale antimikrobike. Rregullorja hyn në fuqi më 3 shtator 2026.
Pikërisht për këtë arsye, AKU i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë marrjen e masave me Urdhër Ministri për mënyrën se si do të vijojnë procedurat për importin e mishit nga Brazili pas kësaj date.
Pas shkresës së AKU-së, Ministria e Bujqësisë ka vlerësuar se ndryshimet europiane reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e urdhrit shqiptar, pasi ky i fundit e kushtëzon importin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.
“Siç është cituar dhe në shkresën tuaj, Urdhëri i Ministrit nr. 294, datë 13.6.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit”, parashikon se importi në Republikën e Shqipërisë i mishit të gjedhit dhe mishit të shpendëve me origjinë nga Brazili lejohet vetëm në rastet kur këto produkte janë prodhuar në zona dhe stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian dhe shoqërohen me certifikatën veterinare përkatëse.
Ndërkohë, me Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, është ndryshuar Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2021/405 në lidhje me zbatimin e kufizimeve për përdorimin e disa produkteve antimikrobike mjekësore. Si rezultat i këtij ndryshimi, Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Europian të dërgesave të disa kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
Në këto kushte, për sa kohë që Urdhri i Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, e kushtëzon importin me miratimin nga Bashkimi Europian të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e sjella me Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189 reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë drejtuar AKU-së.
Ministria e Bujqësisë i kërkon AKU-së që të njoftojë bizneset për ndërprerjen e importit të mishit nga Brazili.





