Subscribe

Kreu i PD, Lulzim Basha prezantoi këtë të hënë programin elektoral për biznesin dhe antikorrupsionin. Teksa akuzoi qeverinë se gjatë këtyre tetë viteve ka dështuar, lideri i opozitës tregoi se çfarë do të bëjë për bizneset kur të vijë në pushtet.

 

“Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit. Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave me më të mira europiane. Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Për këtë, ne do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licensave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror opo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin. Unë angazhohem të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare.”

 

Nga ana tjetër, Basha premtoi edhe se çdo kontratë koncesionare do të kalojë në lupë nga një institucion ndërkombëtar.

 

“Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve. Nuk do të lejoj asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione. Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën në treg. Nuk do të ketë asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.”

 

Lulzim Basha shtoi se do të luftojë pandëshkueshmërinë e korrupsionin. Ai tregoi se do ta bëjë diçka të tillë duke bërë transparent çdo vendim qeverie.

 

“Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, për çdo biznes te huaj e vendas duke ofruar parashikueshmërinë fiskale që gjithë këto vite është shkelur me këmbë dhe ka larguar qindra investitorë dhe mijëra vende pune. Do të eliminoj çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm. Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit. Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit”, premtoi Lulzim Basha.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *