Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një konference për shtyp deklaroi se kapitujt 25 dhe 26 të negociatave për anëtarësimin në BE, që lidhen me arsimin, janë drejt përfundimit.
“Dua ta nis nga ky i dyti, pra kapitulli 26 – ku pothuajse kemi përmbushur të gjitha piketat. Konkretisht, është krijuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar. Kemi Planin e Veprimit për Arsimin Dixhital 2025-2030. Është lançuar Baza Shtetërore e të Dhënave të Arsimit të Lartë, e cila është një bazë të dhënash që përdoret prej korrikut të vitit 2025, që gjurmon aktivitetin studimor online nga notat te klasifikimet”, tha ministrja e Arsimit.
Kumbaro theksoi se puna po vazhdon për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një institucion që do të reformohet me një sistem të ri dhe që përbën gjithashtu piketën përmbyllëse të kapitullit 26.
“Kemi planin e veprimit për arsimin e lartë dhe planin e integritetit dhe gjithashtu, kemi miratuar në qeveri ligjin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, dhe me miratimin e ligjit edhe në Parlament, plotësojmë 100% piketat përmbyllëse në raport me procesin e integrimit”, deklaroi Kumbaro.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se projekti për kampusin e Liceut Francez të Korçës tashmë është gati dhe është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit. Ai parashikon ndërtimin brenda territorit të godinës historike të këtij institucioni./vizionplus.tv





