
Vritet efektivi i “Shqiponjave”, Enea Mekolli humb jetën në krye të detyrës, plagoset polici Edison Adri. Arrestohet autori
Enea Mekolli 34 vjeç, Efektiv i forcave ‘Shqiponja’, humbi jetën mëngjesin e kësaj të enjteje gjatë një operacioni për kapjen 43-vjeçarit Violand Braçelllari, i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 10 vite burg per prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Nga ngjarja e rëndë në fshatin Lozhan të Maliqit, mbeti i plagosur edhe kolegu i tij, efektivi Edison Adri, 36 vjeç.
Autori i krimit fshihej në një stan dhe forcat e policisë shkuan për ta arrestuar pasi kishin rënë në gjurmët e tij.
43-vjeçari nuk iu përgjigj thirrjeve për tu dorëzuar, por përkundrazi hapi zjarr në drejtim të efektivëve duke i marrë jeten efektit Mekolli e duke plagosur rëndë Edison Adrin.
Historia nisi mbrëmjen e 3 qershorit kur në Komisariatin e Policisë Maliq është paraqitur Aleksandër Kola, 32 vjeç, i cili ka treguar se ishte kanosur dhe goditur me qytën e një arme automatike nga Violand Braçellari, person në kërkim dhe i dënuar me 9 vjet e 11 muaj burgim.
Pas informacioneve të siguruara se Braçellari fshihej në zonën e Malit të Bodesës, në fshatin Lozhan, policia ka organizuar operacionin për kapjen e tij.
Mëngjesin e kësaj të enjteje, rreth orës 07:00, forcat e policisë kanë rrethuar banesën pranë stallave ku dyshohej se qëndronte personi në kërkim. Ky i fundit refuzoi të dorëzohej, duke qëlluar me breshëri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ai mbeti i plagosur dhe më pas është arrestuar.
Violand Braçellari ka marrë tre plumba, por gjatë gjithë kohës së shoqërimit ai nuk ka shfaqur pendesë për krimin.
Një vit më parë, autori mendohet të ketë dhunuar edhe një shtetas tjetër, duke e tërhequr zvarrë me kalë për më tepër se dy orë.
Sipas dosjes gjyqësore, në shtator të vitit 2015 policia zbuloi prova që lidhnin Braçellarin me kultivimin, tharjen dhe transportimin e cannabisit.
Në vitin 2017, ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh.
Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë me një vendim të marrë në janar 2024.




