Analisti Mentor Kikia deklaroi se protestat e ditëve të fundit nuk kanë më në qendër vetëm projektin e Zvërnecit, por janë kthyer në një reagim më të gjerë qytetar ndaj problematikave që prekin shoqërinë shqiptare.
Nga studio e QUO VADIS në Vizion Plus, Kikia u shpreh se protestuesit nuk janë mbledhur për të diskutuar një çështje të vetme apo për të marrë përgjigje për një rast specifik, por për të shprehur një pakënaqësi më të thellë ndaj sistemit.
Kikia vuri theksin te roli i brezit të ri në mobilizimin e protestave, duke e cilësuar atë si një faktor që do të sfidojë çdo pushtet politik.
Pjesë nga biseda:
Mentor Kikia: Nuk besoj se me protestuesit Rama do të bëjë një dialog dhe t’u tregojë investimin, sepse ata s’janë inxhinierë. E dyta, janë pak vonë, duhej të bëhej para se të vinin fadromat.
Pirro Vengu: Nuk është asnjëherë vonë.
Mentor Kikia: Kjo histori ka dy pjesë, një pjesë për Zvërnecin. Në Tiranë nuk diskutohet për Zvërnecin. Kur Rama i ftoi, nuk iu përgjigj kush, sepse këta njerëz nuk janë aty që ata njerëz të binden që ai polici të dënohet dhe pas dënimit të falënderojnë Ramën e të ikin në shtëpi. Kjo protestë kulmoi me detajin e Zvërnecit dhe ndezi gjakrat. Gjithmonë ka një gjë. Kur shkohet në përballjen finale, nuk shkohet për të dënuar atë polic. Ata s’janë për Zvërnecin. 99% e tyre s’kanë qenë asnjëherë në Zvërnec. Protesta mori zjarr me njerëz që kanë hasur korrupsion, padrejtësi… Kjo është Gjenerata Z, të cilës do t’i trembet çdo pushtet.
/vizionplus.tv





