“Një protestë, dy parti, një komunitet”, ishte tema e kësaj të enjte në studion e QUO VADIS, Vizion Plus.
Aktivisti Shpend Gashi u shpreh se shumica e të rinjve që marrin pjesë në protestë janë të motivuar nga problemet e përditshme sociale dhe ekonomike, duke përmendur vështirësitë në arsim dhe tregun e punës.
Nga ana e tij, deputeti socialist Pirro Vengu vlerësoi protestën si një shprehje të maturisë qytetare dhe kërkoi që shqetësimet e ngritura të adresohen përmes dialogut.
Ndërkohë, analisti politik Armir Shkurti kundërshtoi pretendimet se protestuesit mund të jenë të nxitur nga Greqia, duke e konsideruar një skenar të tillë tepër shqetësues nëse do të rezultonte i vërtetë.
Sipas Shkurtit, Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe gëzon marrëdhënie të mira me vendet fqinje.
Pjesë nga biseda:
Gashi: Unë jam i rrethuar me djem të rinj që maksimumi që mund të bëjnë është të thonë: “Te Quiero Edi Rama”, sepse na mërzitet Rama ndryshe. Me fëmijë që bëjnë shqiponja me duar. Ne që jemi aty përpiqemi t’i neutralizojmë. Unë dua që kur të shkoj të jap mësim, mos ta shoh auditorin bosh, sepse ka rënë arsimi. Unë dua të shoh që të mos bëj 3 punë dhe mezi të kap muajin, mos të marr borxhe.
Vengu: Protestuesit, janë qytetarë që kanë arritur maturinë si dhe profesionistë të lirë gjatë kësaj qeverisjeje. Duhet të bëjmë një dialog që të diskutojmë çfarë e pret vendin. Aty t’i adresojmë kërkesat e protestës.
Shkurti: Nuk jemi në fazë diskutimi. Nëse është e vërtetë që këta njerëz, nëse do të pranojmë që kjo turmë njerëzish ka dalë e shtyrë e motivuar nga qarqet greke, kjo është e tmerrshme. Po të isha kryeministër, do të shkrija shërbimin sekret, që të huajt na vijnë me kamionë me lek për sposorizime. Kjo është ulëritëse. Por këto janë lojëra të mëdha politike. Shqipëria është në NATO, në marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje. Dhe të mendosh që Greqia ka bërë një kryengritje se vendi ynë do të ndërtojë një kasolle në Zvërnec… Nëse ka realisht interferime dashakeqe ose sponsorizime nga Greqia, unë nuk fajësoj Greqinë. Ata patjetër që mund të xhelozohen, por ne duhet të dimë të mbrohemi.
/vizionplus.tv





