Maliq – Detaje të reja mësohen nga ngjarja e rëndë e regjistruar në zonën e Lozhanit, ku gjatë një operacioni policor mbeti i vrarë një efektiv i Policisë së Shtetit dhe një tjetër u plagos rëndë.
Viktima është identifikuar si Enea Mekolli, ndërsa efektivi i plagosur është Edison Adri, të dy pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja”.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas burimeve paraprake, efektivët ishin angazhuar në një operacion për kapjen e një personi të shpallur në kërkim për vepra penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Personi që po ndiqej nga policia është identifikuar si Violand Braçellari, i cili dyshohet se ka hapur zjarr ndaj efektivëve gjatë ndërhyrjes. Mësohet se edhe Braçellari ka mbetur i plagosur gjatë përplasjes.
Burime pranë autoriteteve bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e efektivit Edison Adri është e rëndë. Për shkak të plagëve të marra, po përgatitet transportimi i tij me helikopter drejt Tiranës.
Ndërkohë, në vendngjarje vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me rrethanat që çuan në vrasjen e efektivit Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij./vizionplus.tv






