Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa shkuar ditën e sotme në Prishtinë. Në kuadër të vizitës në Ballkanin Perëndimor, ai takoi ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiun dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Kosta dha një mesazh të thjeshtë për liderët politikë në Prishtinë që katër ditë më vonë përballen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Mesazhi im për liderët politikë ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi. BE-ja e mbështet Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e shtëpisë së Kosovës. Kosovës i duhen institucione të forta, të qëndrueshme e funksionale”, u shpreh Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian po ashtu tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, porse duhet punë për të bërë, teksa foli për aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimi në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh i kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, shtoi presidenti Costa.
Udhëheqësi i Këshillit Evropian, gjatë qëndrimit në Prishtinë takoi edhe përfaqësuesit e partive politike në Kosovë me të cilët diskutoi mbi zhvillimet politike në vend dhe ndikim në rrugën drejt integrimit evropian. Për këtë, Vjosa Osmani fajësoi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurtin si një prej pengesave për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ka pasur mospajtime për disa çështje me qeverinë dhe ata prisnin që këto mospajtime të tejkalohen në mënyrë që Kosova dhe BE-ja të ulen dhe të flasin për këta hapa substancialë që kërkojnë mbështetje politike”, u shpreh Vjosa Osmani.
“Kosovës i duhet një politikë e jashtme që i mbron interesat tona shtetare, historike dhe vizionin euroatlantik që e kemi”, u shpreh kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Integrimi evropian dhe integrimi në NATO nuk kanë alternativë për popullin e Kosovës, kështu besojmë ne”, deklaroi Adrian Gjini.
Antonio Kosta pas Prishtinës niset për Beograd e turin ballkanik e përfundon në Mal të Zi, në prag të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor që mbahet të premten e pesë qershorit në Tivat.





