“Jam Edi Rama, më jep 1 milion euro…”, si tentoi 25-vjeçari të mashtronte ndërtuesin në Tiranë

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni “Request”, ku një 25-vjeçar u arrestua në flagrancë, pasi dyshohet se tentoi të përfitonte 1 milion euro nga një ndërtues, duke u prezantuar si kryeministri Edi Rama.
Sipas informacioneve, 25-vjeçari, i identifikuar si Albi Muçaj kishte komunikuar me biznesmenin përmes aplikacionit Signal, ku kishte vendosur si fotografi profili imazhin e kryeministrit Rama, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për kreun e qeverisë.
Gjatë komunikimeve, ai i kishte kërkuar ndërtuesit shumën prej 1 milion eurosh, duke e njoftuar se ditën pasardhëse do të dërgonte një person për të tërhequr paratë.
Biznesmeni ka dyshuar për skemën dhe ka njoftuar menjëherë specialistët e Krimit Ekonomik pranë Policisë së Tiranës. Pas organizimit të operacionit, 25-vjeçari është arrestuar në momentin kur ka marrë çantën me paratë.
Gjatë arrestimit, i riu ka pretenduar se kishte shkuar vetëm për të marrë një porosi dhe se nuk e dinte se çfarë kishte brenda çantës.
Sipas informacioneve, Muçaj rezulton gjithashtu me precedentë penalë jashtë vendit për çështje që lidhen me narkotikët.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, si dhe për të verifikuar nëse i arrestuari ka përdorur të njëjtën mënyrë veprimi edhe në raste të tjera.




