Ndahet nga jeta nëna e Luçiano Boçit, mesazhi i deputetit: Viola e shtrenjtë u largua përgjithmonë, do më mungosh shumë fansja ime më e madhe politike

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, është në zi pas ndarjes nga jeta të nënës së tij, Violeta. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur vetë deputeti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë një mesazh emocionues në kujtim të saj.
Në fjalët e tij, Boçi kujton dashurinë, përkujdesjen dhe mbështetjen e pakushtëzuar që nëna i kishte dhënë gjatë gjithë jetës. Ai e përshkruan atë si qendrën e familjes dhe mbështetjen e tij më të madhe, duke e cilësuar edhe si fansen e tij më të madhe në rrugëtimin politik.
Mesazhi i plotë:
VIOLA IME E SHTRENJTË U LARGUA PËRGJITHMONË
Më prite… siç më prisje gjithmonë, Viola ime (siç preferoja të thërrisja),
me atë dashurinë tënde të pamatë e të mjaltë, me atë mallin e merakun e pashuar të nënës.
Kudo që të isha, sado në vështirësi të isha, sado larg të ndodhesha, e dija se ti ishe aty, duke më pritur për të më thënë fjalët magjike shëruese.
Por kësaj here, pa ma treguar se s’doje të më lëndoje, më prite për të ikur përgjithmonë…
Do na mungosh kaq shumë ne të gjithëve Violeta jonë e dashur. Ti ishe epiqendra e gjithçkaje dhe qetësia e çdo gjëje për ne.
Do më mungosh shumë fansja ime më e madhe politike.
Për ty, si për çdo nënë për birin e saj, unë isha më i miri, më i zoti, më i forti.
E sa herë ma thoje unë qeshja me mospranim, por me kënaqësinë e dashurisë që më jepje.
Por një sekret. Pritja jote krenare ishte motivi im.
E ta dish Viola ime e shtrenjtë, kjo është pritja që do të më dhembë sa të kem jetë.
Por ti mos u mërzit nëna ime, sepse për ta shëruar jam tani unë vetë që do të pres pa u lodhur.
Do të pres në kujtime e ëndrra, në gëzime e festa, për të pasur me vete kudo ty dhe Dhimitrin tënd e tonin.
Po largohesh Viola ime, ashtu siç jetove, në heshtje, me mençuri, me thjeshtësinë tënde fisnike dhe me dinjitetin e atyre që gjithë jetën japin dashuri pa kërkuar asgjë në këmbim.
Ti po ikën e brenda nesh diçka e madhe po thyhet me zhurmë, por që ka njëkohësisht muzikën e mirënjohjes së madhe për ty që ishe mamaja jonë e dashur.
Me hirin e Zotit falemnderit Viola jonë!
Falemnderit për bekimet e dashurinë që na fale!
Ti do ndriçosh në parajsë e ne nuk do të harrojmë asnjë çast deri sa të kemi frymë!
T’i puth duart…!
Të dashur miq e të njohur përcjellja për në banesën e fundit bëhet nesër datë 20 nëntor, ora 11.00, nga PREHJE NË PAQE (Rita park), pranë stadiumit Elbasan Arena.
Pritja për ngushëllimet e rastit bëhen të shtunën dt. 21 dhe të dielën dt. 22 nga ora 08-13.00 dhe 15.00-17.00, tek salla e pritjes Hotel SKAMPA (Turizmi), Elbasan




