Momenti emocionues, Jakup Krasniqi mbërrin në shtëpinë e tij në Kosovë, përqafon vajzën dhe familjarët

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është rikthyer në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku është pritur ngrohtësisht nga vajza dhe familjarët e tij. Vizita në Kosovë është lejuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës për arsye humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Në zonën pranë banesës së Krasniqit janë vendosur forca të Policisë së Kosovës dhe ekipe të EULEX-it, ndërsa gazetarët dhe ekipet televizive nuk janë lejuar t’i afrohen shtëpisë. Sipas informacioneve, ai pritet të qëndrojë në Kosovë deri në orën 17:00, për t’u kthyer më pas në Hagë.
Kjo është hera e dytë që Krasniqi viziton Kosovën që prej transferimit në Hagë. Herën e parë, ai ishte kthyer në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij. Sipas Dhomave të Specializuara, kjo është vizita e 15-të humanitare e këtij lloji e lejuar për një të paraburgosur.
Kujtojmë se më 16 shtator, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata Speciale e Hagës për krime lufte, në të njëjtën çështje ku u dënuan edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
/vizionplus.tv




