Policia ka identifikuar dhe arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Lekaj të Rrogozhinës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Ngjarja u regjistrua ditën e djeshme, pas njoftimit për një zjarr të rënë në një sipërfaqe toke me pemë në fshatin Lekaj, i cili rrezikonte edhe banesat përreth. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë ndërhynë menjëherë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Gjatë hetimeve, grupi hetimor kreu verifikimet në terren dhe konstatoi se në oborrin e banesës së shtetasit N. U. kishte disa vatra zjarri. Në pjesën e pasme të banesës u identifikua një tjetër vatër, e cila dyshohet se është përhapur duke shkaktuar dëmtimin e një sipërfaqeje me rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të tjera frutore.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe trajtim konfidencial të informacionit.
/vizionplus.tv





