Partia Demokratike paralajmëron se do të godasë në Gjykatën Kushtetuese ndarjen e re territoriale të vendit dhe shkrirjen e 15 bashkive. Bashkëkryetari i Komisionit të Posacëm për Reformën Territoriale, Luciano Boci deklaron se drafti I propozuar nga deputetët socialistë në mënyrë të njëanshme dhe pa pritur përfundimin e procesit të konsultimeve shkel Kushtetutën e vendit ndaj PD do ta cojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Me një ankimim të thjeshtë kushtetues ti e rrëzon reformën nëqoftëse Gjykata Kushtetuese do e vlerësonte që do kishte një mbledhje shumë shpejt, pasi ka shkelje kushtetuese në vazhdimësi”, tha Boçi.
Sipas Boçit ndarja territoriale e propozuar nga mazhoranca nuk iu vjen në ndihmë qytetarëve dhe I shërben vetëm interesave elektorale të Partisë Socialiste.
“Dhe të gjithë këto burime, resurse ekonomike , financiare, njerëzore do të përdoren në betejën politike që duket që është shumë e afërt, prandaj ka një nxitim. Pse ka arrogancë, pse ka harbutëri në përcaktimin e hartës? Po se do të bëhet harta dhe janë zgjedhjet politike shumë afër, protesta vazhdon, fryma e protestës është shpërndarë kudo në Shqipëri.”
Propozimi i Boçit është që harta e socialistëve me 46 bashki dhe harta e demokratëve me 100 bashki të hidhen në referendum dhe të jenë qytetarët ata të cilët të vendosin për fatin e bashkive ku jetojnë
“Projekti I PD me 100 bashki, që është I hapur mund të vazhdojë me konsultime sipas kërkesave që kanë dërguar komunitetet, dhe projekti I tyre me 46 në referendum dhe të miratohet ose jo nga njerëzit. Se tek e fundit, këta meqë paskan derdhur kaq shumë djersë dhe mund e duan që ta kalojnë, t’ia cojnë qytetarit! Është kusht, e kërkon Kushtetuta, e kërkon ligji I “Vetëqeverisjes Vendore”.
Partia Demokratike goditi hartën territoriale në Gjykatën Kushtetuese edhe në vitin 2014 kur socialistët, së bashku me Ilir Metën e Shpëtim Idrizin miratuan ndarjen e vendit në 61 bashki. Por kushtetuesja e rrëzoi opozitën dhe la në fuqi hartën me 61 bashki. Në atë vendim, Gjykata Kushtetuese sanksionoi se referendumi nuk eshte nje instrument I domosdoshëm për miratimin e shkrirjes së një bashkie.
Partia Demokratike argumentoi në gjykatë se Kushtetuta parashikon se “Kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon” duke theksuar se e vetmja rrugë për të respektuar këtë detyrim kushtetues është referendum lokal.
Por shumica e gjyqtarëve asokohe vlerësuan se nuk kishte nevojë për të marrë mendimin e qytetarëve nëpërmjet referendumit dhe mjaftonte fakti që publiku ishte informuar për ndarjen e re territoriale nëpërmjet seancave të këshillimit publik dhe dëgjesave publike. Në vitin 2014 vetëm dy gjyqtarë; Vladimir Kristo e Gani Dizdari votuan që cdo ndryshim në njësitë e qeverisjes vendore të mos kalonte pa u miratuar me referendum nga banorët e zonës.
Duke u nisur nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese duket se beteja politike e demokratëve kundër hartës që socialistët propozuan me 46 bashki ka pak gjasa që të ketë sukses.





