Subscribe

Një nga aplikacionet më të suksesshme në Kosovë, i quajtur “Udhë”, – platforma që ofron risi për transportin, duke ulur kostot përmes ndarjes së automjetit me pasagjerë të tjerë, – do të funksionojë së shpejti edhe në Tiranë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti Drejtorin Ekzekutiv të “Innovation Centre Kosovo”, Uranik Begu dhe Eroll Gorçin, drejtuesin e platformës “Udhë”, të cilët i përshëndeti për idetë inovatore dhe shumë aplikacione që sot përdoren nga mjaft qytetarë.

Veliaj u shpreh se aplikacioni “Udhë”, i krijuar nga të rinj të talentuar, është një mënyrë shumë e mirë për të kursyer. “Ne harxhojmë shumë kohë duke promovuar idetë dhe projektet e huaja, por harrojmë idetë e shkëlqyera që i kemi këtu ngjitur, në shtëpinë tonë. Kemi nevojë për aplikacione si ky i juaji, por edhe mënyra të tjera për të kursyer në një moment kur çmimi i naftës dhe i benzinës është rritur. Kjo do të thotë se përpara një sfide kemi gjithmonë dy opsione: E para është të dorëzohesh, si zgjedhja më e thjeshtë dhe e mërzitshme; e dyta është të krijosh inovacion, të përshtatesh. Unë besoj te kjo e dyta. Ne u përshtatëm gjatë pandemisë, gjatë tërmetit, e kështu duhet të përshtatemi edhe tani”, theksoi Veliaj.

Aplikacioni “Udhë” ul jo vetëm koston e transportit për qytetarët, por në të njëjtën kohë shërben edhe për uljen e trafikut. “Çmimin e naftës dhe të energjisë nuk e kemi ne në dorë, prandaj duhet të ndryshojmë sjellje. Po si mund ta bëjmë këtë? Duke ecur më shumë, Tirana i ka distancat e vogla. Duke përdorur autobusin, për këtë kemi edhe një linjë të gjelbër. Duke përdorur biçikletën, Tirana ka 300 ditë diell, kurse 70% e qytetit është me terren të sheshtë. Por, pyetja është: Po me distancat e largëta, kur njerëzit thonë, – “Nuk shkoj dot në Durrës, apo në Rinas me biçikletë, ose në këmbë, me valixhe në krahë?” Aplikacioni “Udhë” i përgjigjet kësaj pyetjeje. Pra, maksimizohet hapësira, minimizohet kostoja financiare, duke i ndarë shpenzimet bashkë. Më e rëndësishmja, ulet trafiku”, deklaroi ai.

Drejtori ekzekutiv i “Innovation Centre Kosovo”, Uranik Begu falenderoi kryebashkiakun për përkrahjen e nismave të tilla, veçanërisht në fushën e start-up-ve. “Është kënaqësi kur ne si ‘Inavation Center’ në Kosovë kemi mundësi të sjellim start-up-e të Kosovës në Tiranë, por edhe anasjelltas. Ky vit është viti i Tiranës, viti i Rinisë dhe në kuadër të aktiviteteve kemi dëshirë të sjellim shpirtin e rinisë së Kosovës edhe në Tiranë. Të falënderoj për mbështetjen e përhershme”, tha Begu.

Drejtuesit i ekipit “Udhë”, Eroll Gorçi, u shpreh se kjo platformë bashkon drejtuesit e mjeteve me udhëtarët, duke u mundësuar atyre uljen e shpenzimeve dhe një alternativë në transport. “Ne operojmë prej 1 viti në Kosovë dhe jemi duke filluar dalëngadalë edhe zgjerimin në Shqipëri”, deklaroi Gorçi.

Veliaj shprehu mbështetjen për nisma të tilla, që janë në pararojë të zhvillimit teknologjik dhe që u shërbejnë qytetarëve. Vitin e kaluar në Tiranë u mbajt edicioni i parë i Techstars Startup Weekend Balkans, ku morën pjesë 5 shtete dhe 100 pjesëmarrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *