Subscribe

Prej tre muajsh Ministria e Financave ka ngritur një grup pune, i cili po negocion tarifat me koncesionarin që ka ekskluzivitetin e vendosjes së pullave fiskale. Kompania “SICPA”, nuk ka zbatuar tërësisht kontratën që kabineti Berisha miratoi para 5 vitesh në Parlament. Kjo gjë ka vënë në lëvizje disa dikastere në qeveri, e cila është e pakënaqur me punën e koncesionarit në luftën kundër evazionit fiskal. Në një raport konfidencial që disponon “Vizion Plus”, renditen 17 shkeljet që firma ka bërë në këto kohë që ushtron detyrën e saj për vendosjen e pullës. Fillimisht, kompania nuk ka ofruar asnjë çertefikatë sigurie për pullat që vendos, çka le të hapur dyshimet për falsifikim të mundshëm të tyre nga disa tregtarë.

Autoriteti do të duhej të merrte rezultatet e testeve të realizuara nga koncesionari (në dijeninë tonë nuk ka ndonjë test të zhvilluar) dhe Autoriteti nuk i ka dhënë certifikatën e arritjes. Koncesionari nuk ka paraqitur asnjë certifikatë cilësie sipas standardit ISO 9001:2000, siç kërkohet në pikën 14.1.2 të kontratës, certifikatë e cila duhej të ishte paraqitur jo më vonë se viti i dytë nga data efektive.

Por nuk mjafton vetëm kaq, në arsyetimet e Ministrisë së Financave, thuhet se dhënia me koncesion e këtij shërbimi, mbështetej pikërisht te përmirësimi i cilësisë, dhe deri tani ky qëllim është bërë nul, pasi kontraktori, nuk ka bërë asnjë investim të ri, por shumicën e procesit e kryen përmes kompanive të tjera jashtë.

Kjo kontratë vlerësohet që mbulon shërbimet e ngritjes, vënies në punë dhe mirëmbajtjes të një sistemi për printimin, prodhimin, shpërndarjen dhe mbikëqyrjen e pullave fiskale. Aktualisht, koncesionari në Shqipëri realizon vetëm kodimin dhe shpërndarjen, pasi printimi dhe prodhimi bëhet jashtë vendit.

Raporti nënvizon se nëse nuk bëhet heqja e ekskluzivietit të vendosjes së pullave, së paku duhet të rishikohen tarifat për pullën e birrës, duhanit, alkoolit dhe barnave. Bashkangjitur me këtë dokument, financat kanë nisur në kryeministri edhe një audit që i kanë bërë gjithë procesit të dhënies së koncesionit monopol, i cili konstatohet jo vetëm të jetë kryer në shkelje të ligjeve të Shqipërisë por dhe në shkelje të Kushtetutës. Në 2010-ën kompania “SICPA” morri të drejtat ekskluzive për vendosjen e pullave, i cili kushton biznesit mesatarisht 7 milion euro në vit, nga kjo vetëm 2% e vlerës derdhet në buxhetin e shtetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *