E martë, 20 Tetor 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Alarm në Tokio! Një person hedh substancë të panjohur në qendrën tregtare, 20 të plagosur

Rreth 20 persona janë plagosur në një qendër tregtare luksoze në qendër të Tokyo, pasi një burrë spërkati një substancë të panjohur brenda godinës, njoftuan autoritetet japoneze.

Sipas policisë së Tokios, substanca u hodh pranë një bankomati në katin përdhes të ndërtesës, ndërsa shërbimet zjarrfikëse raportuan për një “erë të fortë” dhe dhjetëra persona që shfaqën shqetësime shëndetësore.

Reklamë

Zona përreth qendrës tregtare në lagjen luksoze dhe turistike Ginza u izolua menjëherë pas incidentit, ndërsa në vendngjarje mbërritën automjete zjarrfikëse, ambulanca dhe ekipe emergjence. Megjithatë, klientët vijuan të hynin dhe të dilnin nga ndërtesa përmes hyrjeve anësore.

Një gazetar i AFP-së raportoi se pa dy persona të transportoheshin me barela drejt ambulancave, ndërsa zjarrfikës dhe zyrtarë të pajisur me kostume mbrojtëse po nxirrnin njerëzit nga qendra tregtare për kontrolle mjekësore në automjete speciale.

Reklamë

Transmetuesi publik japonez NHK raportoi se të plagosurit kanë marrë lëndime të lehta.

Një grua 70-vjeçare që ndodhej në qendrën tregtare deklaroi për NHK se ndjeu djegie dhe mpirje në fyt sapo iu afrua bankomatit.

“Kur mbërrita, kishte nisur tashmë rrëmuja. Mendova se kishte shpërthyer ndonjë zjarr i vogël. Sapo iu afrova zonës së ATM-së, ndjeva fytin të më digjte dhe të më mpihej”, tha ajo.

Policia japoneze po heton natyrën e substancës dhe shkaqet e incidentit.

Megjithëse krimet e dhunshme janë relativisht të rralla në Japoni, vendi ka përjetuar disa sulme të rënda në vitet e fundit, përfshirë vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe në vitin 2022.

Ngjarja ka rikthyer gjithashtu kujtimet e sulmit me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995, kur anëtarë të sektit Aum Shinrikyo vranë 14 persona dhe helmuan mijëra të tjerë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë