E hënë, 19 Tetor 2026 Fat i Hidhur deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Protestat në Paris, banori hedh ujë të nxehtë ndaj protestuesve

Një banor i Parisit është filmuar duke hedhur një tenxhere me ujë të nxehtë ndaj protestuesve të maskuar, teksa kryeqyteti francez u përfshi nga protesta masive, përplasje dhe plaçkitje gjatë fundjavës. Në një video të transmetuar drejtpërdrejt në TikTok, burri shihet duke ndjekur nga banesa e tij zhvillimet në rrugë, përpara se të kthehet në ballkon me një tenxhere metalike dhe ta zbrazë atë mbi personat që ndodheshin poshtë. Protestuesit shihen duke u larguar me vrap.

VIDEO- Paris, banori lag protestuesit me ujë të nxehtë

Reklamë

Sipas policisë së Parisit, të dielën u arrestuan 855 persona në zonën e kryeqytetit francez, pas përplasjeve mes grupeve të dhunshme dhe forcave të sigurisë, si dhe plaçkitjeve të dyqaneve. Gjatë protestave u regjistruan sulme ndaj ndërtesave publike, përfshirë bashki dhe institucione të administratës vendore, ndërsa në disa zona tregtare dhe turistike u shkaktuan dëme të konsiderueshme.

Sipas autoriteteve, rreth 550 mijë persona morën pjesë në protestat në të gjithë Francën, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i pjesëmarrësve arriti në rreth 800 mijë. Policia njoftoi gjithashtu se një person humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak, pa dhënë detaje të mëtejshme. Mediat franceze raportuan se një protestues pati një urgjencë mjekësore gjatë marshimit. Nga incidentet mbetën të plagosur edhe 13 efektivë policie dhe xhandarmërie, si dhe dy zjarrfikës.

Reklamë

Pamjet e mëngjesit të së dielës pranë sheshit të Republikës në Paris tregonin pllaka të shkëputura nga trotuaret, vitrina të thyera dhe copa xhami të shpërndara në rrugë. Dëmtime dhe plaçkitje u raportuan edhe në zona të tjera qendrore të qytetit. Policia bëri të ditur se të shtunën, në qendër të Parisit, u formuan grupe të mëdha me më shumë se 1.000 protestues, të cilët zhvilluan marshime të paautorizuara.

Kryeministri francez Sébastien Lecornu dhe ministri i Brendshëm Laurent Nuñez ia atribuuan një pjesë të dhunës grupeve radikale të së majtës ekstreme, duke deklaruar se më pas në trazira u përfshinë edhe persona të tjerë me synimin për të plaçkitur. Policia tha se disa grupe shfrytëzuan kaosin për të kryer vjedhje dhe dëmtuar prona.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.