“Dhuna jo proporcionale”, sherr Demalia-Lala: Pse nuk flet për policët e dhunuar?

Analisti Ilir Demalia është përplasur ashpër me gazetaren Klodiana Lala në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të Ylli Rakipit.
Gazetarja Lala tha se ka parë vazhdimisht dhunë joproporcionale nga ana e policisë ndaj protestuesve.
I menjëhershëm ishte reagimi i Demalias, i cili kërkoi nga gazetarja profesionalizëm, duke kërkuar që të flasë edhe për dhunën që po ushtrohet nga ana e protestuesve.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Çfarë po ndodh?
Lala: Unë kam kritika për policinë, jo në të gjitha rastet dhe jo e gjithë trupa është e përfshirë në akte dhune. Nëse e kanë bërë me urdhër politik apo nga paaftësia, nuk jam unë personi që e përcakton këtë moment.
Ajo që kam vënë re dhe kam konstatuar gjatë ndërhyrjeve fizike është se, pasi shpërndahen protestuesit përmes makinës ujëhedhëse apo përdorimit të gazit, në momentin që FNSH-ja hyn për arrestime, forca e përdorur është shumë më e lartë nga sa kërkohet. Protestuesit janë të pambrojtur, janë të rinj dhe të reja që, maksimumi, kanë ndonjë kapuç ose shall. Kur hidhet gaz lotsjellës, ata janë të detyruar të largohen me urgjencë.
Një qytetari iu thye këmba gjatë dhunës policore. Nuk iu dha ndihmë, por u dërgua në rajonin e policisë dhe më pas në spital. Klevi Meta u mbajt i lidhur me pranga te dera e qelive të sigurisë dhe nuk u dërgua menjëherë në spital, edhe pse shenjat e dhunës ishin të dukshme në fytyrë dhe në trup.
Këto janë rastet kur policia ka ndërhyrë në mënyrë joproporcionale. Këto janë kritikat e mia.
Strategjia e dy netëve të fundit ka synuar me çdo kusht t’i mbajë qytetarët larg Bulevardit dhe ia ka dalë në të dyja rastet. Ka tentuar t’i largojë sa më shumë dhe t’i fusë në rrugica të pandriçuara.
Demalia: Ky është komenti që bën ti.
Rakipi: Ka qenë prezent.
Lala: Mbaj përgjegjësi.
Demalia: Po ndonjë rast kur janë goditur policët, ke parë?
Lala: Po, është e vërtetë. Kemi parë edhe protestat në Francë dhe atje studentët përdorin dhunë. Punonjësi i policisë është i trajnuar, ka armën e zjarrit dhe plumbat manovër. Në Tiranë, policia është proporcionale.
Unë kam deklaruar se vija e kuqe nga protestuesit kalohet kur shkatërrohet prona private. Por nuk mund të krahasosh një 16-vjeçar që u ndalua teksa hante sanduiç. Si do të ndiheshit ju kur ndalohet djali juaj duke ngrënë sanduiç?
Demalia: Është e rëndë, prandaj media nuk duhet të nxisë dhunë.
Lala: Ka 14 vjet që zoti Rama është në pushtet. Nuk i ka dëgjuar për muaj me radhë protestuesit, i ka injoruar, i ka përqeshur: “Jeni njerëzit e Saliut”.
Demalia: Ju mendoni se nuk ka aty njerëz të Saliut?
Lala: Kush e tha që jo? Por askush s’të merr certifikatën për të hyrë në protestë. Unë i shoh me optimizëm të rinjtë shqiptarë që kanë dalë në rrugë. Ju nuk e keni jetuar këtu gjatë gjithë kohës për të parë se si këtu ishte vrarë forca e reagimit. Të rinjtë dhe të rejat po bëjnë gjëra që më parë nuk i kanë bërë dot.
Kur po kthehesha, pashë dy vajza të reja që ia morën valles. Nuk mund të krahasosh një punonjës policie të trajnuar, i cili vepron në mënyrë të paprecedentë me makinë policie, me protestuesit. Sot jam duke mbështetur studentët dhe të rinjtë, por po raportoj me profesionalizëm.
Demalia: Ti mendon se i gjithë ky vandalizëm dhe thyerja e bizneseve private… Edhe në Francë e sheh kush e bën dhunën.
Lala: Në Francë, ministri dha dorëheqjen.
Demalia: Ti nuk lë njeri të flasë, se ke mision.
Lala: Unë isha në krye të detyrës, erdha për respekt. Gjej dikë tjetër me të cilin të konfliktosh.
Demalia: Nuk është thyer vetëm një dyqan. Mjerë ne për studentët që kemi! A është bërë vandalizëm, moj vajzë? Meqë po flet, le të dënojë vandalizmin në Francë, jo si shefi i opozitës këtu.
Lala: O zotëri, thërrit shefin e opozitës këtu.
Demalia: Manipuloni.




