Vrasja e dy vëllezërve në Tiranë, reagon policia: Viktimat 30 dhe 48 vjeç, vëllai i tyre në spital!

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me vrasjen e dy vëllezërve në Tiranë dhe plagosjen e vëllait tjetër të tyre.
Sipas policisë gjatë një konflikti ndërmjet shtetasit Ngushëllim Manzi, 40 vjeç dhe tre vëllezërve, Selami Islami, Nazmi Islami dhe Shefqet Islami, konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë, shtetasi Selami Islami, rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit Nazmi Islami, 48 vjeç, dhe Shefqet Islami, rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Policia ka arritur të arrestojë shtetasin Ngushëllim Manzi, 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.
Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.




