Protesta e dhunshme, analisti: Policia i spostoi protestuesit në rrugët e Tiranës, ja taktika që përdorën

Analisti Andi Tela ka kritikuar mënyrën se si policia menaxhoi protestën në Tiranë, duke pretenduar se efektivët nuk i lejuan protestuesit të mblidheshin në bulevard dhe i zhvendosën në rrugët e tjera të kryeqytetit.
I ftuar në studion e “Të paekspozuarit” në Vizion Plus, Tela u shpreh se përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion vijoi edhe kur protestuesit ndodheshin të ulur pranë Parkut Rinia.
Andi Tela e përshkroi situatën si një skenë terrori dhe një gjendje të ngjashme me rrethimin e pashpallur të qytetit.
“Policia ka ndjekur një taktikë tjetër, s’ka lejuar që protestuesit të mblidhen në bulevard. Është përpjekur t’i ndjekë pas, duke i detyruar t’i çojnë në rrugët e tjera, rrugën e Durrësit, Dibrës, Kavajës… E kanë spostuar veprimtarinë e tyre në rrugët e Tiranës. Policia gjatë gjithë kohës i ndjek nga pas. Sot ka ndjekur të njëjtën taktikë gjatë gjithë ditës. S’u lejuan të futeshin në bulevard. Edhe kur protestuesit ishin të ulur te Parku Rinia, ku protestuesit po merrnin ushqime, pati hedhje gazi lotsjellës. Përtej koshave të djegur, gazi lotsjellës dhe uji i hedhur prodhonin skena terrori, dukej sikur ishim në një shtet rrethimi të pashpallur. Skena terrori. Kjo vijoi në orët e vona të mbrëmjes”, tha Tela.
/vizionplus.tv




