Lufta kundër korrupsionit dhe konfiskimi i pasurive të krimit mbeten ende kusht për Shqipërinë për antarësimin në Bashkimin Europian.
Në konferencën nga “Konfiskimi tek e Mira Publike”, i ngarkuari me punë i BE, Andre Rizzo nënvizoi se vendi ynë ka bërë progress në këtë drejtim por mbetet rrugë e gjatë përpara.
“Lufta kundër krimit të organizuar vijon të jetë sfidë në Shqipëri, rajon dhe të tjera shtete. Krimi i organizuar sot vepron përmes kufijve, teknologji gjithmonë e më të sofistikuar, minojnë besimin publik, gërryejnë sundimin e ligjit. Shtetet duhet të ndjekin penalisht aktorët kriminalë dhe të godasin në zemër të krimit të organizuar. Një nga mesazhet më të qarta është që krimi nuk paguan. Ja pse përdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale është i dobishëm sepse kthen pasurinë e paligjshme në vlerë publike. Duam të sigurojmë që këto burime të përdoren efektivisht në ndihmë të grupeve në nevojë”, tha Andre Rizzo.
Për Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari puna kryesore nuk është vetëm konfiskimi i aseteve të krimit por kthimi i tyre në shërbim të qytetarëve.
“Pasuritë e krimit nuk mund të humbasin apo të harrohen në qitapët e agjencisë që gjetëm kur erdhëm në pushtet. Pasuri që s’mund të degradojë ose mbeten rrangullina të së shkuarës kriminale. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”, tha Lamallari.
Lamallari bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara.





