Nga sot dhe deri në datën 25 qershor, fermerët do të kenë mundësi që të aplikojnë në skemën kombëtare të mbështetjes, për të përfituar nga fondi prej 5.2 miliardë lekësh.
“Para se të vija këtu mora një shifër dhe deri tani ka 5 mijë fermerë që janë online duke aplikuar. Në një kohë shumë të shkurtër ka shumë interes”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Gjatë një konference me gazetarët, ministri i Bujqësisë, Andis Salla shpjegoi edhe vonesën e këtij viti për të hapur aplikimet për fermerët, ndryshe nga vitet e shkuara.
“Diskutuam me fermerët, dolëm në terren, kjo është skema e tyre, kemi bërë një skemë të qëndrueshme edhe për vitet e tjera, që të mos e ndryshojmë më skemën herë pas here që fermerët të mos gjkenden të papërgatitur. Na u desh kohë që të përgatishsmë siç duhej nga dëgjesat. Kjo skemë ësghtë e dakordësuar dhe nuk kemi më ndryshime në vitet që dot ë vijnë, është e qëndrueshme, vetëm nëse do të kemi ndryshime në aspektin financiar, do ta rishikojmë”, tha Salla.
Për hapjen e fondeve të IPARD-it, qeveria shqiptare është ende në pritje të përgjigjes së Komisionit Europian për dosjen e dorëzuar atje.
“Ne kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në dorën e komisionit për ta vlerësuar dhe për të hedhur hapin tjetër, presim përgjigjen e tyre që të vazhdojmë me procedurat ligjore, kjo do të jetë një mundësi tjetër investimi për fermerët shqiptarë për të krijuar mundësi për ta që të ecin drejt një investimi drejt BE”, tha ministri.
Ministri u ndal edhe te modeli i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, duke deklaruar se janë krijuar 58 të tilla në bashkëpunim me bashkitë, ku përfshihen 334 fermerë, në zona të ndryshme dhe për kultura të ndryshme bujqësore.





