Universiteti “Luigj Gurakuqi” i ka akorduar titullin “Honoris Causa”, studiueses Luçia Nadin një personalitet i shquar i albanologjisë, njëkohësisht mike e qytetit të Shkodrës.
Nadin falënderoi shqiptarët për mirënjohjen, ndërsa shtoi se ka një lidhje shpirtërore me Shkodrën.
“Dua të falënderoj rektorin, universitetin, kolegët, qytetin e Shkodrës, që gjithmonë ka qenë në fokus të studimeve të mia në këto 30 vite. Edhe këtë pak kohë që më ka mbetur për të punuar, ky qytet do të jetë në prioritetin tim, pasi Shkodra është jo vetëm pjesë e studimeve të mia, por edhe pjesë e jetës sime. Është një qytetërim që ka lidhje të forta me Italinë dhe Shkodrën e gjen kudo në Itali pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Sot, gjurmët tuaja gjenden nga Jugu në Veri, në çdo detaj të jetës sociale, kulturore, fetare e ekonomike të Italisë, sidomos në Venecia”, tha Nadin.
Titulli iu dorëzua nga rektori i universitetit, Tonin Gjuraj, i cili vlerësoi punën shumëvjeçare të studiueses italiane.
Ndër kontributet më të rëndësishme të Lucia Nadin është botimi i “Statuteve të Shkodrës”, dokument i rrallë i historisë mesjetare shqiptare, të cilin ajo arriti ta zbulojë në Bibliotekën e Muzeut të Venecias dhe ta sjellë në dritë për studiuesit.
Po ashtu, Nadin ka hulumtuar emigrimin shqiptar në Venecia gjatë shekujve XV-XVI, luftrat e Skënderbeut, si dhe historinë e klerikëve katolikë shqiptarë në Republikën e Venecias.
Në vitin 2010 Nadin ka marrë edhe titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.





