E martë, 20 Tetor 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Valë e pazakontë e të nxehtit godet Francën, temperaturat “rekord”, një i vdekur gjatë gare vrapimi në Paris

Një valë e pazakontë të nxehti për këtë periudhë ka përfshirë Francën, ku janë regjistruar temperatura rekord për muajin maj, ndërsa një person humbi jetën gjatë një gare vrapimi në Paris.

Sipas autoriteteve franceze, një pjesëmarrës në garën e zhvilluar në kryeqytetin francez ka ndërruar jetë, ndërsa rreth dhjetë vrapues të tjerë në një aktivitet sportiv në periferi të Parisit janë transportuar me urgjencë në spital.

Reklamë

Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, bëri të ditur se temperatura në Paris kaloi për herë të parë këtë vit mbi 30 gradë Celsius, duke arritur në 31.9°C.

Sipas meteorologëve, kjo valë e hershme dhe e pazakontë e të nxehtit shkaktohet nga një “kupolë termike” mbi Francë, një zonë me presion të lartë atmosferik që bllokon ajrin e nxehtë që vjen nga Afrika e Veriut. Fenomeni pritet të forcohet edhe më tej gjatë ditës së sotme.

Reklamë

Autoritetet kanë vendosur 13 rajone në perëndim të Francës në nivelin e parë të alarmit për të nxehtin ekstrem. Kjo është hera e parë që një alarm i tillë lëshohet në muajin maj që prej vitit 2004, kur u krijua sistemi paralajmërues.

Temperaturat mbi 30 gradë Celsius janë regjistruar në shumë zona të vendit, ndërsa në të paktën dhjetë stacione meteorologjike janë thyer rekordet historike për muajin maj. Në qytetin e Brestit, në perëndim të Francës, termometri arriti në 29.8°C, duke tejkaluar rekordin e vitit 2017.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë