Subscribe

Nga Pranvera Borakaj

Nesër, në 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, opozita e bashkuar ka thërritur një protestë simbolike, kundër regjimit të Edi Ramës. Në vitin e 10-të të opoziarizmit, kur arsyet për të cilat mund të protestosh janë pafund, kjo e thërritur nga opozita e bashkuar ka disa elementë që vlen të theksohen.

Ajo bën bashkë gjithë opozitën e bashkuar, por jo të gjithë PD-në. Votat e së cilës, nëse sot do kishte zgjedhje prape do ndaheshin dhe nuk do maksimalizonin rezultatin. Demokratët, nuk janë si socialistët, të cilët ditën e votimit, pertej hatërmbetjeve të brendshme, në kuti shkojnë për siglën.

Elektorati blu, një pjesë e të cilëve e kuptuan herët qasjen politike të këtij vendi emigruan. Pjesa tjetër, refuzon të bëhet palë e konfliktit, sa absurd dhe banal brenda së djathtës.

Ndaj pyetja që shtrohet është? Si do arrij, Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, e te tjerë, të bind demokratët dhe elektoratin gri, që të protestoj në 20 shkurt kundër Edi Ramës, të rrëzoj qeverinë aktuale dhe të shpresoj se ditët e kësaj opozite janë të numëruara në këtë pozicion, dhe pas kësaj, ata që do vijnë do jenë më të mirë se këta që mund të ikin.

A mund të rrëzohet kjo qeveri me protesta? Përse i mungon kësaj opozite fryma e shpresës dhe optimizmit?

Si e lexon opozita anashkalimin dhe injorimin që i bëri Sekretari Amerikan i Shtetit në vizitën 8 orëshe në Tiranë dhe mbi të gjitha togëfjalshin më të fortë që ai artikuloi gjatë kësaj vizite’ Edi Rama është një udhëheqës i shquar dhe një kryeministër shumë i mirë’.

Edhe pse tingëllon naive që shqiptarëve tu tregoj një zyrtarë i huaj që e njeh përmes raporteve  Shqipërinë se kush është drejtues i mirë e kush është i keq, sërisht deklarata merr një vlerë të veçantë sepse qartazi  tregon që kjo opozitë, jo vetëm është e përçarë, jo vetëm i janë larguar njerëzit por dhe nuk gëzon mbështetjen ndërkombëtare.

Përpëlitjet prej pak kohësh se tani janë një se u bashkuan me Gazmend Bardhin, i cili sapo u kthye nga Amerika shkoi poshtë pallatit të Berishës, janë shumë fëminore për demokratët që ende s’kanë harruar hunjt e gazin e 8 janarit.

Ndaj protesta e nesërme, mund të mbledhi shumë demokratë e të pakënaqur në shesh, ata mund të jenë zëri real i problemeve dhe halleve të shqiptarëve, por kaq nuk mjafton.

Zgjedhjet e ardhshme janë afer dhe opozita nuk ka kohë për të humbur. Çdo ditë me mendësinë, hajde mblidhemi te rrugica e shpresës, Basha tradhëtar, tani jemi një se erdhi Gazi, është ditë e humbur drejt fitores.

Vetëm hapja  e partisë, fryma dhe energjia e re, të pa kontaminuara nga e shkuara, alternativat konkrete, projektet largpamëse, denoncimet  për aferat që mbijnë në çdo ditë, muaj e stinë, sjellja serioze dhe institucionale, janë rruga e vetme drejt pushtetit.

Për ta mbyllur dua të them vetëm kaq. Retorika e disa opozitareve, se ndërsa skandalet e qeverisë  janë palë, studiot televizive prej vitesh merren vetem me Opozitën, qëndron.

Ama një gjë është e sigurt. Që nëse opozita s’do ishte kjo që është, as skandalet s’do ishin në këtë përmasë, as krimi e korrupsioni nuk do lulëzonte dimër e verë dhe as rrotacioni politik s’do shihej si vajtja në hënë.

Dita e nesërme është testi i opozitës, testi i demokratëve, testi i të gjetja partive opozitare që ngrenë zërin kundër qeverisë.

E këtu qartazi Basha nuk bashkohet, sepse ai në thelb nuk ka as për çfarë proteston. Ose thotë dhe Rama, ai është në gjumë, por dhe kur zgjohet nuk presim ndonjë gjë të re. /Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *