Policia Rrugore e Beratit ka ndëshkuar dy drejtues automjetesh, pasi u konstatuan duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke qarkulluar në shkelje të rënda të Kodit Rrugor.
Një automjet tip “Benz”, kryente “drift” në terminalin e qytetit të Kuçovës. Ndërkohë, një tjetër automjet lëvizte pa targa në aksin rrugor Poshnje-Berat.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndëshkuan me 60 000 lekë gjobë dhe i bllokuan automjetin 20-vjeçarit, që qarkullonte pa siguracion dhe me masa administrative të palikuida.
Gjithashtu ndëshkuan me 40 000 lekë gjobë 28-vjeçarin që drejtonte automjetin pa leje drejtimi, pa targa dhe me xhama të errësuar me qese plastike.
“Bazuar në disa pamje filmike, në të cilat shfaqej një automjet tip “Benz”, duke kryer manovra të rrezikshme (drift) në terminalin e qytetit të Kuçovës, si dhe nga informacionet e marra se në aksin rrugor Poshnje-Berat lëvizte një automjet pa targa, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kryer veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve.
Drejtuesit e automjeteve, shtetasit E. Ç., 20 vjeç, banues në Berat dhe L. A., 28 vjeç, banues në Kuçovë, janë shoqëruar në ambientet e DVP Berat, bashkë me automjetet e tyre.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Policisë Rrugore iu vendosën masat administrative, në bazë të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke i garantuar ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv





