Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “The Wrong Meeting”, për goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike si dhe në armëmbajtje pa leje.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë tre shtetas:
Sh. T., 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit;
D. S., 21 vjeç, nga Peqini;
J. B., 17 vjeç, nga Golemi – të dy të dyshuar për prodhim dhe shitje të drogës në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë nga Peqini:
G. S., 39 vjeç dhe M. Ll., 33 vjeç, të dy të dyshuar për përfshirje në këtë rrjet kriminal.
Operacioni nisi pasi Policia zbuloi një shkëmbim të lëndës narkotike mes dy të arrestuarve në një parking në Golem, ku u kapën në flagrancë me 4.5 kg kanabis në formë boçeje. Hetimet zbuluan se aktiviteti kriminal përfshinte edhe 17-vjeçarin J. B., në ambientin e të cilit u gjetën 1.1 kg të tjera kanabis.
Kontrolli i mëvonshëm në banesën e Sh. T. në Tiranë çoi në sekuestrimin e:
- 600 gramë kanabis,
- një armë zjarri pistoletë,
- municion luftarak,
- dy jelekë antiplumb,
- pajisje për kultivim droge me anë të llambave,
- 2 automjete dhe 6 celularë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe Komisariatin Nr.7 në Tiranë.
Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
/vizionplus.tv





