Në përkujtim të 80-vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvicit nga Nazistët,
Ministria e Punëve të Jashtme organizoi sot një diskutim të hapur në prani të trupit diplomatik, akademikëve dhe ekspertëve.
Ministri Igli Hasani e cilësoi këtë moment kyç për reflektim mbi tragjedinë.
“Është një moment thirrje për të riafirmuar përkushtimin tonë të palëkundur ndaj humanizmit dhe drejtësisë për të mbajtur gjallë kujtimin e atyre që vuajtën dhe për të vazhduar më vendosmëri betejën në një botë ku urrejtja dhe diskriminimi të mos kenë vend dhe në përpjekje për të ndërtuar një të ardhme më të mirë me tolerancë. Apel që kërkon përkushtimin tonë të pandalshëm në luftën kundër antisemitizmit dhe çdo forme tjetër diskriminimi”, tha ministri Hasani.
Dy ditë më parë, Hasani zhvilloi një vizitë në kampin famëkeq të Aushvicit.
“Ndjeva në zemër tragjedinë e pafundme që ka ndodhur atje, është një përvojë që na thërret të gjithëve për të mbajtur gjallë kujtimin dhe për të siguruar që kjo tragjedi të mos përsëritet më”, deklaroi Hasani.
Mbrojtja dhe strehimi i Hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore u përshendet edhe nga Presidenti i Kongresit Hebre Amerikan, Daniel Rosen.
“Një nga historitë më mbreslënëse është ajo e shqiptarëve të cilët i mbrojtën Hebrenjtë që largoheshin nga tmerri i Nazizmit në të gjithë Europën”, tha Daniel Rosen, presidenti i Kongresit Hebre Amerikan.
Forcat naziste gjermane vranë rreth 1.1 milion njerëz në kampin e Aushvicit. Në total, nazistët vranë 6 milionë hebrenj nga e gjithë Evropa, duke shfarosur dy të tretat e hebrenjve të Evropës dhe një të tretën e të gjithë hebrenjve në mbarë botën.
Trupat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike çliruan kampin Aushvic-Birkenau më 27 janar të vitit 1945 dhe kjo ditë është bërë e njohur si ‘Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit’. /vizionplus.tv





