70-vjeçari Pjerin Bitanji, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të fqinjit të tij në Shkodër, është vetëdorëzuar në Polici pas disa orësh i fshehur në lagjen “Rus”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 në lagjen “Partizani”, ku Bitanji dyshohet se, për motive të dobëta, qëlloi me armë zjarri ndaj fqinjit të tij, 64-vjeçarit Vladimir Bruçi.
Lexo edhe :
Related Posts
Ky i fundit mori një plagë në këmbë dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas të shtënave, Policia nisi kontrolle të shumta për lokalizimin e 70-vjeçarit, i cili ishte larguar dhe qëndronte i fshehur prej disa orësh në lagjen “Rus”.
Sipas Policisë, pamundësia për t’u larguar nga zona, kontrollet e vazhdueshme dhe negociatat mes familjarëve të tij dhe strukturave të Policisë çuan në vetëdorëzimin e tij.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Bitanji u arrestua për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Sipas informacioneve të bëra publike më herët, Bitanji dhe Bruçi janë fqinjë dhe para ngjarjes kishin qenë së bashku në një lokal. Konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të disa kamerave të sigurisë të vendosura në zonë.
Emri i Vladimir Bruçit është i njohur edhe më herët për drejtësinë. Në vitin 2024, ai u dhunua me sende të forta në lagjen “Rus”, pas një konflikti për një vendparkim. Ngjarja u pasua edhe nga një përplasje me armë zjarri, ndërsa për atë episod janë dënuar Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Arlind Kajoshi.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






