Erjon Vishkulli në Itali për kurim, familja kundërshton deklaratën e Ramës, kryeministri reagon sërish: Shpenzimet u mbuluan nga shteti

Erjon Vishkulli, i plagosur në sy gjatë protestës para Kryeministrisë një ditë më parë, është dërguar në Itali për trajtim të specializuar. Paraditen e sotme, kryeministri Rama deklaroi se ai ishte marër personalisht me dërgimin e të riut në një nga spitalet më të mira të Italisë.
Kjo deklaratë u kundërshtua nga familja e Erjonit. Motra e tij përmes një deklarate në Instagram tha se dërgimi i tij në Itali u mundësua nga familja, miqtë dhe mbështetësit e tij. Ajo falënderoi personat që ndihmuan për sigurimin e trajtimit mjekësor dhe kërkoi që rasti të mos përfshihet në debatet politike.

Pas këtij reagimi, kryeministri Edi Rama ka sqaruar edhe një herë se dërgimi i të riut në Itali është mundësuar nga shteti. Në një postim në rrjetet sociale, ai deklaroi se nismën për trajtimin e specializuar e ka marrë personalisht dhe se transporti drejt Romës është kryer me avion mjekësor, me shpenzimet e mbuluara nga shteti.
Rama tha gjithashtu se e kishte takuar Vishkullin dhe i kishte uruar shërim të shpejtë përpara nisjes së tij nga aeroporti.
“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj. Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!
Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit. Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar. Të shkuara edhe njëherë”, shkruan kryeministri.





