Vatra e zjarrit në masivin pyjor me dushqe në fshatin Mallunxë të Bashkisë së Matit është vënë nën kontroll, por po mbahet në mbikqyrje.
Dhjetra forca nga shërbimi pyjor, shërbimi zjarrfikës, mbrojtja civile e Bashkisë Mat, forcave të armatosura luftuan me flakët për tri ditë me radhë duke bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit. Frika nga riaktivizimi ka bërë që kjo vatër të mbahet nën mbikqyrje të autoriteteve.
Situata mbetet kritike në fshatrat e Ulzës.
Në Lundre zjarri i është afruar rrezikshëm banesave duke rrezikuar djegien e tyre, ndërsa banorët refuzojnë të largohen nga aty për shkak se kanë gjithçka të jetës së tyre.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Madhesh ku banesa me një fermë prej 200 koshere bletë rrezikon të digjet nga momenti në moment.
Strukturat e mbrojtjes civile të Bashkisë së Matit, të Njësisë Administrative Ulëz, forcat e armatosura dhe vullnetarë vijojnë luftën me flakët në terren, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri pasi zjarri po futet në luginën e Shkopetit ku ka me dhjetra banesa që rrezikojnë të digjen.





